English

Dokle: Fletët e votimit as grisen e as digjen

Tiranë, 26 maj, NOA – “Kushdo që i shmanget zgjidhjes së ofruar; kryeministër, qeveri apo KQZ dhe flet për djegien e votave me benzinë, do të përballet me përgjegjësinë historike para vendit. E përsëris, që ta marrë vesh mirë Berisha, Ristani dhe gjithë stani i tyre, se fletët e votimit as mund të grisen, as mund të lagen dhe as mund të digjen!”.

Kjo është deklarata e bërë sot nga deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle i cili ka hedhur poshtë mundësinë që fletët e votimit të eliminohen.

Në një deklaratë dhënë për mediat, Dokle ka theksuar se vendi ndodhet në një krizë të gjithanshme.

Sipas tij, kriza e stërzgjatur politike, ekonomike dhe qeverisëse po e çon çdo ditë e më shumë në sosje durimin e shqiptarëve.

“Transparenca e munguar për çdo gjë që ndodh në këtë vend, për votën e lirë, për fondet buxhetore, për pronat publike, për taksat dhe faturat, për punësimin dhe asistencën sociale, për gjithçka që të zgjedhurit duhet t’u ofrojnë zgjedhësve, po e fut Shqipërinë në një rreth vicioz të mosfunksionimit të demokracisë e të shtetit të së drejtës”, u shpreh Dokle.

Deputeti i PS-së shtoi se opozita, në këto dy javë po i jep parlamentit shansin e normalitetit e të gjakftohtësisë për të arsyetuar dhe për të vendosur zgjidhjen që tashmë është mbi tavolinë.

“Moszgjidhja dhe vazhdimi i krizës do të kenë pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, e me çdo faktor të përfshirë në tryezë”, tha ai.

m.xh/NOA

KOMENTE