Dossier - Çeki - Zgjedhjet Legjislative: Partitë Kryesore Në Garë
PRAGË, 25 maj /ATSH-AFP/ - Njëzetë e pesë parti, ose rreth 5 050 kandidatë, garojnë për 200 vendet e Dhomës së Ulët të parlamentit në Republikën çeke gjatë zgjedhjeve legjislative të së premtes dhe të shtunës. Pesë grupime politike pritet ta kalojnë pragun e 5 për qindëshit të nevojshëm për t'u zgjedhur.
- Partia Social-demokrate (CSSD) e Jiri Parubek, kryeministër në vitet 2005-06, në krye të sondazheve (30,5 për qind sipas institutit CVVM), fitoi zgjedhjet rajonale dhe ato për senatorë në vitin 2008, duke kritikuar reforma të rrepta ekonomike të kabinetit të qendrës së djathtë të asaj kohe.
Fushata e saj bazohet në premtime si: dhënia e një shume fikse prej 2 400 koronash (94 euro) për pensionistët përpara fundit të vitit dhe mbajtja në fuqi e lejes së lindjes. CSSD kërkon të fusë përsëri taksën progresive.
Paroubek, 57 vjeç, pak i pëlqyer nga të rinjtë, ka qenë disa herë objekt i goditjeve me vezë përpara zgjedhjeve evropiane në vitin 2009.
- Partia Demokratike Qytetare (ODS), e krijuar në vitin 1991 nga ekonomisti liberal Vaclav Klaus (president që prej vitit 2003), është grupimi kryesor i djathtë çek.
Duke qenë në vend të dytë me 19 për qind të votave, ODS-ja shprehet për reforma të ashpra dhe për shëndoshjen e financave publike.
Që prej largimit të Mirek Topolanek, kryeministër në periudhën 2006-2009, ODS-ja drejtohet përkohësisht nga ish-ministri i Punës dhe i Çështjeve sociale, Petr Necas, 45 vjeç.
- Partia Komuniste (KSCM) e Vojtech Filip, 55 vjeç, merr 13 për qind të votave sipas sondazheve, nuk pranon të heqë dorë nga etiketa e saj "komuniste", ndryshe nga disa ish-"parti motra" të vendeve të tjera të ish-bllokut komunist.
KSCM-ja shprehet e gatshme të mbështesë një kabinet socialdemokrat të pakicës, me kusht që ai të realizojë të paktën një pjesë të programit të saj.
Duke qenë kundër përkatësisë në NATO, KSCM shprehet për ndalimin e privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha, të fondeve të pensioneve dhe të shëndetësisë dhe për rritje të taksave në transhet e mëdha.
- Partia e re TOP 09 siguroi menjëherë një mbështetje të madhe prej 14 për qind, falë qëndrimit të saj antiborxh dhe karizmës së liderit të saj, ish-shefi i diplomacisë Karel Schwarzenberg, 72 vjeç.
TOP 09 ka në radhët e saj ish-ministrin e Financave, Miroslav Kalusek, i cili është larguar nga Bashkimi Kristiandemokrat KDU-CSL në shenjë proteste kundër animit të saj nga e majta.
- Për një kohë të gjatë e lënë mënjanë, partia "Çështje publike", VV, ka shënuar një rritje të shpejtë, 11,5 për qind, që prej ardhjes në krye të saj të Radek John, 55 vjeç, ish-shkrimtar dhe gazetar investigativ.
Kjo parti, të cilën një pjesë e shtypit e kritikon për populizmin e saj, shprehet e gatshme të negociojë për një koalicion me ODS-në si dhe me CSSD.
/I.Pu.