English

Ekonomi - Ocde - Evropë - Tremonti: Ndryshim I Modelit Politik Dhe Zvogëlim I Pranisë Së Qeverisë

PARIS, 26 maj /ATSH-AFP/ - Evropa duhet të ndryshojë "modelin politik" dhe të modifikojë "strukturën e shtetit zot, duke zvogëluar shpenzimet publike, pra dhe "praninë e qeverisë", deklaroi sot në Paris ministri italian i Financave, Giulio Tremonti. "Është e qartë se i gjithë kontinenti duhet të ndryshojë modelin politik, të ndryshojë strukturën e shtetit zot, të modelit social", deklaroi ai në hapje të forumit të përvitshëm të Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik, OCDE. "Nëse sasia e parave publike është kufizuar, ai ka për detyrë të përcaktojë se ku janë më efektshme këto para", shtoi ministri italian, një ditë pas njoftimit të një plani të masave të rrepta ekonomike në vendin e tij. "Prioriteti ynë është të zvogëlojmë shpenzimet publike, pra, praninë e qeverisë duke ruajtur në të njëjtën kohë atë që është themelore për kompaktësinë sociale". Sipas Giulio Tremontit, "zgjedhja që kemi bërë në Itali është shumë e qartë: nuk ka shkurtime në shëndetësi, nuk ka shkurtime në ndihmat, ka shkurtime të mëdha në shpenzimet e qeverisë qendrore dhe lokale". Sekretari i përgjithshëm i OCDE-së Angel Gurria theksoi se Evropa është "në rrugë të mbarë pavarësisht ekzistencës së "një kakofonie". "Është mirë që ekziston tani kjo ndërgjegje, kjo ndjenjë se duhet të reagojmë ndaj çështjes së stabilitetit buxhetor që është shumë i rëndësishëm", u shpreh ai, në prag të mbledhjes së përvitshme ministrore të organizatës ku marrin pjesë vendet kryesore të pasura të botës. /I.Pu.
KOMENTE