English

"Eurosong", Shqipëria Kualifikohet Në Natën Finale

TIRANË, 26 Maj/ ATSH/- Shqipëria kualifikohet në finalen e Festivalit Europian të këngës, që po zhvillohet në Oslo të Norvegjisë. Me këngën "It's all about you"(Nuk mundem pa ty), këngëtarja me zë potent, Juliana Pasha, ndezi mbrëmë publikun në stadiumin gjigand të Oslos "Telenor Arena", duke rrëmbyer duartrokitjet e shumë spektatorëve. Mes 17 konkurrentëve pjesëmarrës në natën e parë të këtij evenimenti, përmes televotimit dhe jurisë profesionale, arritën të kualifikohen për në finale vetëm 10 prej tyre. Shtetet që u përfaqësuan mbrëmë ishin: Moldavia, Rusia, Estonia, Shqipëria, Sllovakia, Finlanda, Letonia, Islanda, Greqia, etj. Juliana Pasha këndoi e 12-ta në gjysmëfinalen e parë të Festivalit Europian të këngës, mes shumë këngëtarëve të tjerë europianë, të cilët garuan për një vend në finalen e 29 majit. "Nuk mundem pa ty" është një kompozim i Ardit Gjebresë dhe Pirro Çakos dhe është kënga fituese e festivalit Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar që u zhvillua në dhjetor të vitit të kaluar. Juliana Pasha e çon në 7 numrin e pjesëmarrjeve të Shqipërisë në këtë kompeticion të rëndësishëm të këngës evropiane. Për herë të parë Shqipëria u përfaqësua nga Anjeza Shahini, e cila u rendit e 7-ta në finalen që u zhvillua në Stamboll./s.d//s.s./
KOMENTE