English

Fullani: Blerja E "Hotel Dajtit", Konform Ligjit

T TIRANË, 26 Maj/ATSH/ E.Xhajanka/-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi sot se, "blerja e Hotel "Dajtit" nga Banka e Shqipërisë është bërë në respekt të ligjit". Gjatë një prononcimi për mediat lidhur me Vendimin e Këshillit të Ministrave "Për shitjen e pronës shtetërore ish - hotel Dajti", Fullani tha se, "ndjehem thellësisht i kënaqur që u bë e mundur që Bankës së Shqipërisë t'i ofrohet një mundësi e tillë për të blerë një nga godinat më të vlerësuara të kryeqytetit, të vendosur buzë shëtitores "Dëshmorët e Kombit". Sipas tij, "Vendimi i Këshillit të Ministrave "Për shitjen e pronës shtetërore ish-hotel "Dajti" shënon fillimin e materializimit të një projekti të ideuar shumë vite më parë nga Banka e Shqipërisë". Më tej, Guvernatori Fullani tha se, "motivimi ynë për blerjen e këtij objekti bazohet në ligjin organik, kuadrin ligjor dhe atë rregullativ përkatës për përmbushjen e mirëfunksionimit administrativ të institucionit, përmirësimit të ndjeshëm të kushteve të punës së punonjësve dhe përafrimin e këtyre kushteve me standartet europiane". Fullani garantoi se, "të gjitha procedurat që ka ndjekur dhe që do të ndjekë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, që nga momenti i publikimit të vendimit të Këshillit të Ministrave deri në përfundimin e plotë të shitjes së këtij objekti, do të vazhdojnë të jenë plotësisht transparente dhe të bazuara në ligjin "Mbi Bankën e Shqipërisë", kuadrin ligjor dhe atë rregullativ përkatës". "Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shpreh angazhimin e tij për gjallërimin dhe rikthimin e shkëlqimit të humbur njërit prej objekteve me vlera të njohura jo vetëm për qytetarët e Tiranës, por për gjithë publikun e gjere", perfundoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani./a.m//n.m/
KOMENTE