Tiranë, 26 maj, NOA – “Blerja e hotel “Dajtit” është bërë në përputhje të plotë me ligjet e vendit”. Kjo është deklarata e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në lidhje me debatin e shitjes se hotel “Dajtit” nga ana e qeverisë.
Duke i cilësuar si spekulative deklaratat për shkelje të ligjeve, Fullani ka shtuar se kjo blerje nga ana e Bankës së Shqipërisë “është tërësisht në përputhje me kuadrin ligjor dhe shënon materializmin e një projekti të ideuar vite më parë nga Banka e Shqipërisë”.
Fullani nuk është ndalur gjatë në akuzat që kanë bërë deputetët e Partisë Socialiste, po ka shtuar se për çdo vendim që është marrë nga Banka e Shqipërisë, në lidhje me këtë çështje, do të ketë një transparencë të plotë.
“Motivimi ynë bazohet në kuadrin ligjor për përmbushjen e mirëfunksionimin administrativ të institucionit dhe afrimin e kushteve të punonjësve me standardet evropiane”, ka thënë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
m.xh/NOA