English

Hapësirë - Mars - Lamtumirë Phoenix, Sonda Laborator U Shua

- Zbuloi akull dhe toksina vrasëse - ROMË, 26 maj /ATSH-ANSA/ - Lamtumirë sondës laborator të NASA-s, Phoenix, e cila u "shua" dy vjet nga ulja në sipërfaqen e planetit Mars. Phoenix është mjeti i parë hapësinor që mblodhi dhe analizoi kampione nga terreni marsian, që solli edhe në zbulimin e akullit në planetin e kuq, por tashmë hesht. Drita e tij e kaltëroshe nuk shkëlqen më dhe në imazhet e dërguara në Tokë nga një sondë amerikane në orbitën marsiane, sateliti "Mars Reconnaissance Orbiter" (Mro), Phoenix shfaqet si një njollë gri pa shkëlqim. Imazhi tregon se panelet diellorë të sondës, të gjatë më shumë se 5 metra, janë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme dhe ky është konfirmimi përfundimtar se Phoenix tashmë e ka mbyllur karrierën e tij, të shkurtër por produktive. "Misioni ishte i suksesshëm dhe e tejkaloi kohën operative të parashikuar", deklaroi drejtori i programit për eksplorimin e Marsit pranë Laboratorit Reaktiv me Propulsion (Jpl) të NASA-s, Fuk Li. "Pavarësisht se Phoenix e përfundoi punën e tij, analiza e të dhënave do të vazhdojë ende", shtoi ai. Lëshuar më 4 gusht të vitit 2007 nga Kepi Kanaveral i Floridës, Phoenix mbërriti në Mars më 25 maj të vitit 2008. Me një pamje disi të ngjashme me atë të disqeve fluturuese të rrëfimeve të vjetra të fantashkencës, Phoenix është një "pjatë" e madhe me diametër 2.64 metra të mbështetur në tre këmbë me lartësi dy metra. Krahët e tij robotikë kanë gërmuar ditë me radhë terrenin marsian, duke verifikuar se në Mars ka gjurmë uji, se ka borë dhe një toksinë vrasëse, vdekjeprurëse për format e jetës të ngjashme me ato tokësore. Gjithsej sonda laborator ka shkrepur dhe dërguar në Tokë më shumë se 25 mijë imazhe dhe të dhënat e saj do t'i lejojnë shkencëtarët të mbledhin elemente të dobishme për eksplorimet e ardhshme të Marsit. /e.v/
KOMENTE