Hillary Clinton Në Seul: Pheniani Të Ndërpresë Çdo Provokim
SEUL, 26 maj /ATSH-ANSA/ - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i bëri thirrje sot Koresë së Veriut t'i japë fund "çdo provokimi".
Duke folur nga Seuli, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm koreanojugor Yu Myung-hwan, Clinton shtoi se "komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë për t'iu përgjigjur fundosjes së anijes luftarake koreanojugore".
Tensioni ndërmjet dy Koreve u rrit kur disa javë më parë u mbyt në ujëra kufitare një anije luftarake e Jugut. Hetimet ndërkombëtare arritën në konkluzionin se anija ishte mbytur pasi u sulmua nga një nëndetëse e Veriut. Nga sulmi mbetën të vrarë 46 marinarë koreanojugorë. Autoritetet veriore e kundërshtuan përfshirjen.
Situata u përkeqësua kur disa ditë më parë Korea e Jugut mori masa të ndryshme kundër Veriut dhe njoftoi se do t'i kërkonte Këshillit të Sigurimit vendosjen e sanksioneve.
Dje dy Koretë i ndërprenë të gjitha marrëdhëniet ndërmjet tyre.
/e.v/