English

Hungari - Parlamenti Miraton Një Ligj Të Polemizuar Për Kombësinë Dyfishe

BUDAPEST, 26 maj /ATSH-AFP/ - Parlamenti hungarez miratoi sot ligjin e polemizuar që u jep mundësinë hungarezëve etnikë që jetojnë në vende fqinje të marrin kombësinë hungareze, gjë që Sllovakia e kritikon ashpër pasi atje banon një minoritet i madh hungarez. Vendimi u miratua me shumicë dërrmuese: 344 deputetë votuan pro, vetëm tre votuan kundër dhe pesë abstenuan. Partia e djathtë Fidesz, e cila fitoi gjerësisht në zgjedhjet legjislative muajin e kaluar dhe mban shumicën prej dy të tretash në parlament, e nevojshme për modifikimin e Kushtetutës, kërkon që ligji të hyjë në fuqi në mënyrë simbolike më 20 gusht, ditën e festës kombëtare hungareze. Por, zbatimi i tij nuk pritet përpara 1 janarit të vitit 2011. Sipas këtij dokumenti, hungarezët duhet të paraqesin një dosje për të marrë kombësinë hungareze, por ata nuk do të kenë automatikisht të drejtën e votës. Për këtë, ata duhet të banojnë në Hungari. Kjo masë përfshin rreth 3,5 milionë hungarezë etnikë të cilët jetojnë në vendet fqinje, shumica në Rumani dhe Sllovaki, por edhe në Serbi, Kroaci, Ukrainë dhe Austri. Në Sllovaki, ata përbëjnë rreth 10 për qind të 5,4 milionë banorëve. Reagimi më i ashpër erdhi nga kryeministri sllovak Robert Fico: "Nëse Hungaria e voton këtë ligj, Sllovakia do ta shohë këtë si kërcënim të sigurisë së saj". Sllovakia, ku kombësia dyfishe është e mundur, thirri ambasadorin e saj në Hungari përpara dy javëve. Fico premtoi të hënën një përgjigje të shpejtë dhe të prerë: "Nëse parlamenti hungarez e miraton ligjin të mërkurën, Sllovakia do ta ndryshojë ligjin për kombësinë në mënyrë që hungarezët etnikë të humbasin shtetësinë sllovake sapo të marrin kombësinë hungareze", paralajmëroi ai. Ai paralajmëroi gjithashtu se Sllovakia e ka mundësinë ta çojë çështjen në Organizatën për Bashkëpunimin dhe Sigurinë në Evropë, OSBE, pasi Bratislava i konsideron qëllimet e Budapestit si një cënim të sovranitetit të saj. Iniciativa e Fidesz nuk shkaktoi kaq shqetësime në Serbi dhe Rumani. Marrëdhëniet mes Sllovakisë dhe Hungarisë janë acaruar ndjeshëm që prej vitit 2006 dhe hyrjes në koalicionin qeveritar të partisë së vogël nacionaliste SNS. /I.Pu.
KOMENTE