Idrac: Franca Mbeshtet Integrimin E Shqiperise Ne Be
TIRANE, 26 Maj/ ATSH, A.Gegvataj/ - Sekretarja e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Francës, Anne Marie Idrac gjatë konferencës "Shqipëria, në rrugën drejt integrimit të BE", që u mbajt sot në Paris, (Francë), ndërsa vlerësoi se "Shqipëria është në rrugë të mbarë", shprehu mbështetjen e plotë të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
"Francezët duhet të investojnë në Shqipëri, pasi është një vend i bukur, i sigurt dhe me interes për investime. Qeveria franceze do të mbështesë kompanitë franceze që duan të investojnë në Shqipëri", u shpreh Idrac.
I pranishëm në këtë konferencë, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ftoi invetitorët francezë që të vijnë në Shqipëri, duke vene theksin tek sektori energjitik dhe minerar .
"Gjatë gjithë dekadës së fundit, Shqipëria ka gëzuar rritje të shpejtë ekonomike, inflacion të ulët, stabilitet makroekonomik dhe të përgjithshëm, hyrjet e kapitalit në rritje. Një pranoramë e tillë ekonomike është bazuar në themelet dhe kombinim e politikave të mira fiskale dhe monetare, të harmonizuara me reforma të rëndësishme strukturore, që transformoi ekonominë e vendit tërheqëse për investimet e huaja dhe vendase", tha Prifti.
Duke u ndalur tek mundësitë për investime në sektorin energjetik i përsa i përket energjive hidrike dhe të rinovueshme, ministri i Ekonomisë, Prifti deklaroi se, promovimi i aktivitetit të kompanive franceze mbetet një prioritet i qeverisë./n.m/