English

Izrael - Manovra Të Mbrojtjes Pasive - Sirenat E Alarmit Bien Në Të Gjithë Territorin

JERUSALEM, 26 maj /ATSH-AFP/ - Sirenat e alarmit ranë sot në të gjithë territorin izraelit në kuadrin e një manovre të rëndësishme të mbrojtjes civile që parashikon një sulm masiv me raketa nga të gjitha drejtimet. Sirenat u aktivizuan për një minutë e gjysmë në orën 11:00 (08:00 GMT) për t'u bërë thirrje izraelitëve të futen në vendstrehimet më të afërta për 10 minuta. Turistët dhe shoferët u përjashtuan nga kjo manovër e mbrojtjes pasive, e quajtur "Kthesa 4", e katërta e llojit që prej Luftës së dytë të Libanit (në verën e vitit 2006), njoftoi një burim ushtarak. Nxënësit e shkollave fillore dhe gjimnazistët e rreth 4 000 shkollave duhet të shkonin në vendstrehim nën drejtimin e mësuesve të tyre. Sipas skenarit të parashikuar, Izraeli mund të jetë objektivi i mijëra goditjeve me raketa, përfshirë këtu predha jo konvencionale, që mund të vijnë nga Siria, Libani, Rripi i Gazës dhe Irani. Manovra filloi të dielën dhe përfundon nesër pasdite. Në të marrin pjesë ushtria, policia, shërbimet e urgjencës, komuna dhe bashki dhe rreth 150 organizma qeveritare. Mendohet që të gjithë të bashkërendojnë veprimet, sidomos për evakuimin e viktimave dhe të popullsisë, për të përballuar zjarre dhe për marrjen e shërbimeve themelore. Vitin e kaluar, pjesëmarrja e civilëve në një manovër të ngjashme arriti në 40 për qind, njofton Mbrojtja civile në disa statistika. Rreth njëqind delegatë ushtarakë nga rreth 30 vende janë ftuar të marrin pjesë në operacione. /I.Pu.
KOMENTE