Komisioni I Ligjeve Miraton Dy Marrëveshje Të Nato-S
TIRANË, 26 Maj/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Ligjeve shqyrtoi dhe miratoi sot dy marrëveshje të rëndësishme që lidhen me plotësimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s.
P/ligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e NATO-s "Për komunikimin e informacionit teknik për qëllime të mbrojtjes" synon fuqizimin e aftësive mbrojtëse individuale ose kolektive të Palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, sipas programeve kombëtare, dy palëshe apo shumëpalëshe dhe vënien në jetë të projekteve kërkimore, zhvillimit, prodhimit dhe logjistike të NATO-s.
Marrëveshja parashikon ngritjen e një komiteti këshillimor, të përbërë nga përfaqësues të qeverive dhe organizmave të NATO-s, për të hetuar dhe shqyrtuar provat dhe për t'u raportuar palëve të interesuara për origjinën, natyrën dhe qëllimin e dëmit.
Në vijim, komisioni shqyrtoi dhe p/ligjin "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për mbrojtjen e ndërsjellë të teknologjive sekrete në fushën e mbrojtjes dhe për të cilat është bërë aplikimi i patentës".
Kjo marrëveshje miratohet duke pasur parasysh se kufizimet territoriale që rrjedhin nga ndalimi mund të shkaktojnë dëm ndaj aplikantëve për patenta e si rrjedhim mund të prekin në mënyrë të dëmshme bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendeve anëtare të NATO.
Pas shqyrtimit të dy p/ligjeve, deputetët e komisionit të ligjeve vlerësuan se aderimi i Shqipërisë në këto dy marrëveshje do të mundësojë përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë përballë shteteve të tjera anëtare të NATO-s, si dhe përfitimin e përdorimit të informacioneve teknike të rezervuara në fushën e mbrojtjes./a.s/k.sh/