Kosove - Kuçi: Synimet Per Pastrim Etnik Ne Veri, Logjike E Milosheviçit
PRISHTINË, 26 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Synimet e liderevëve politikë serbë për pastrimin etnik të veriut të Kosovës, të deklaruara gjatë fushatës së zgjedhjeve ilegale në veri të Mitrovicës, janë logjikë e Milosheviçit, tha sot zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
"Synimet e Serbisë kanë qenë dhe mbeten deri në shkallë të spastrimit etnik, deri në shkallë të zhbërjes së shtetit të Kosovës, por këto politika nuk do të jenë të suksesshme as tash as në të ardhmen", tha Kuçi para mediave pas mbledhjes së qeverisë.
Këto pretendime nuk u ndihmojnë raporteve Kosovë-Serbi, por as pozitës së minoritetit serb në Kosovë, ka shtuar ai.
Duke folur lidhur me zgjedhjet paralele serbe në veri të vendit, zëvendëskryeministri Kuçi tha se ato nuk kanë fuqi juridike as legjitimitet demokratik, dhe të zgjedhurit nuk do të jenë partnerë as të vendorëve as të ndërkombëtarëve.
Lidhur me parandalimin e hyrjeve të vazhdueshme të zyrtarëve serbë në Kosovë pa lejen e institucioneve të vendit, zëvendëskryeministri Kuçi tha se me EULEX-in dhe ICO-së, është arritur një koordinim lidhur me këto veprime.
"Tani kemi garanci të EULEX-it që hyrjet e tilla pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës do të ndalohen ", bëri të ditur Kuçi.
Partitë oprozitare kosovare në reagimet e tyre pas ardhjes për fushatën e zgjedhjeve serbe të 30 majit në veri të Mitrovicës të ish-kryeministrit serb Vojislav Koshtunica dhe politikanëve tjerë nga Serbia, kanë kërkuar të ndalohen shkeljet e sovranitetit nga vizitat e zyrtarëve të Beogradit pa lejen e autoriteteve të Prishtinës. /a.ke/