Tiranë, 26 Maj, NOA – Akordimi i çmimit të dytë për Shqipërinë mbi transparencën e prokurimeve në një garë mbarëbotërore të organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, është vlerësuar si një akt domethënës për reformat dhe arritjet në vendin tonë.
Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, duke pohuar se Shqipëria e ka merituar këtë çmim pasi ka treguar vullnet të hekurt në luftën kundër korrupsionit dhe për transparencë të plotë në organizimin e prokurimeve elektronike.
“Ky çmim ka si motivacion përmirësimin e transparencës, përgjegjshmërisë së shërbimeve publike dhe është vlerësimi më imadh që i bëhet administratës dhe këtij shteti në historinë e saj”, tha në fjalën e tij kreu i qeverisë.
Më tej, shtoi se ai vjen si rezultat i vlerësimit shumë pozitiv të prokurimit 100 % elektronik në Shqipëri.
“Ky proces është dëshmia më e besueshme e vullnetit 100 % politik për një proces transparent, kur ne u zotuam për luftë me zero tolerancë ndaj korrupsionit”, theksoi kryeministri Berisha.
Duke shtuar se dalja e Shqipërisë në krye të listës për prokurimin elektronik, është gjithashtu dëshmi e vullnetit të kësaj qeverie për krijimin e shanseve për biznesin dhe biznesmenët, për vendosjen e rregullave të ndershme në prokurimet publike.
n.e/NOA