English

Ksamil: Në Ditën E Tretë Të Operacionit "Pastrimi I Rivierës" Shemben 5 Objekte Të Paligjshme

KSAMIL, 26 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Inspektoriati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar (INUK) shëmbi sot edhe pesë objekte të paligjshme 4-katëshe në Ksamil në ditën e tretë të operacionit "Pastrimi i Rivierës", në prani dhe të dy deputetëve socialistë të qarkut të Vlorës. Gjergji Bojaxhi, drejtor i INUK, tha për ATSH-në, se puna e fadromave ka nisur në mesditë dhe operacioni është përqëndruar në afërsi të liqenit të Butrintit, rreth 3 kilometra larg Ksamilit. "Operacioni spastrues nga ndërtimet e klasifikuara të paligjshme është zhvilluar pa incidente", pohoi Bojaxhiu, duke shtuar se gjatë aksionit kanë qenë të pranishëm dy deputetët socialistë, Eltar Deda dhe Luiza Xhuvani. Bojaxhi tha se "deputetët socialistë nuk kanë patur asnjë opsion tjetër për qëndrimin ndaj ndërtimeve pa leje edhe për faktin se prishjet po bëhen pa asnjë kapërcim, apo diferencim". Sipas tij, dokumenti i vetëm i orientimit për shembjen e godinave të paligjshme, ka qenë vetëm harta, referuar fotografimit ajror, të realizuar në vitin 2006. Pastrimi i Rivierës vlerësohet si ndërhyrja më e madhe pastruese realizuar ndonjëherë në jug të vendit. Sipas INUK, gjatë 3 ditë të fundit janë shembur 50, nga 260 objekte pa leje, të cilat parashikohen të prishen në vijën bregdetare./n.m/
KOMENTE