English

Liberalizimi I Vizave Pritet Të Rrisë Destinacionet Për Turistët Shqiptarë

-Deklaron presidenti i Agjensisë turistike ATHS Besnik Vathi- BUDVA 26 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Me liberalizimin e vizave, agjencitë turistike shpresojnë tek rritje të fluksit të turistëve shqiptarë, ndërsa përgatiten të fusin këtë sezon turistik për herë të parë në Shqipëri edhe udhëtimet turistike me kroçera. Pavarësisht trendit të turistëve për të kaluar pushimet jashtë vendit që është në rritje, aktualisht shqiptarët udhëtojnë në ato vende ku lëvizja bëhet pa viza. Kështu u shpreh dhe Besnik Vathi, drejtues i Agjensisë turistike ATHS në work-shopin e organizuar në Budva (Mali i Zi) në prag të sezonit të ri turistik, me qëllim, njohjen me ofertat turistike të Turqisë. "Një faqe e re për agjencitë turistike në vend do të hapet me liberalizimin e vizave. Përgjatë 20 viteve, agjencitë turistike kanë punuar në kushte të vështira për marrjen e vizave për turistët shqiptarë për të bindur ambasadat se Shqipëria nuk ka vetëm emigrantë, por edhe turistë", tha Vathi. Sipas tij, me liberalizimin e vizave do të shtohet numri i destinacineve dhe turistëve shqiptarë për të lëvizur. "Vërtet shqiptarët kanë lëvizur në Evropë, por levizjet e tyre kanë qënë të kufizuara për shkak të mungesës së pjestarëve të familjes, apo qëndrimit të gjatë në dyert e ambasadave", u shpreh kreu i ATHS-së. Liberalizimi, sipas tij, do të sjellë lehtësira lëvizjeje për shqiptarët, që do të kenë mundësinë të shijojnë bukuritë që Evropa ofron. Duke pohuar ndikimin e efekteve globale të krizës ekonomike edhe në sektorin e turizmit shqiptar, Vathi shprehet "çdo luhatje ekonomike, apo politike ndjehet së pari te sektori i turizmit, pasi turistët janë më të prekshëm nga të gjitha industritë dhe të parët që e reflektojnë janë turistët. Kjo pranverë ishte më e dobët sesa vitin e kaluar, por vera pritet të jetë tepër e sukseshme. Destinacionet do të mbeten sërish Turqia dhe Egjipti edhe për këtë sezon turistik. Destinacionet e tjera do të jenë me individë. Risi për tregun shqiptar të turizmit këtë vit do të jetë futja e udhëtimeve me krocere, ku Shqipëria pritet te jetë një nga destinacionet e ardhshme për të gjithë turistët, një produkt ky i zhvilluar dhe i kërkuar në botë në 20 vitet e fundit. "Turistët e huaj që lëvizin pa viza e kanë zhvilluar këtë produkt. Por për shqiptarët kjo ka qënë e pamundur për shkak të lëvizjes së lirë", tha Vathi. Për të, të kalosh brenda një itenerari brenda 5-6 shtetesh do të thotë të kërkosh viza në secilin nga këto shtete dhe kjo bëhet edhe më e vishtirë kur itenerari është i kombinuar edhe me vende të tjera jashtë Evropës. "Por me lëvizjen e lirë, ky produkt do të gjejë treg në Shqipëri, pasi është jo vetëm luksoz, por edhe komod dhe i përshtatshëm për ta", thotë Vathi. Në work shop-in e zhvilluar në Budva në kroceren "MSC Armonia", rreth 10 agjentë turistikë shqiptarë u njohën me inteneraret dhe ofertat që mundëson ky "ishull" i lëvizshëm për turistët shqiptarë. "Kroceria "MSC Armonia" është jo vetëm një "hotel" lëvizës për turistët, por ofron një gamë të gjërë argëtimi dhe zbavitjeje ku gjen kinema 4 dimensionale, disko, klube, kazino, biblioteke, sporte të ndryshëm dhe fitness, grupe teatrale dhe muzikore, pishinë, aktivitete të ndryshme per fëmijë dhe për persona me aftësi të kufizuar. Suitat e kësaj krociereje janë me kushte mjaft moderne, nga ato të brendshëm, deri te suitat panoramike. Për të gjithë turistet, ofrohen lloje të ndryshme gatimi, ku mbizotëron guzhina mesdhetare", tha administratori i saj Nevel Delic. Krocieria "MSC Armonia", që e filloi aktivitetin në vitin 2003, ka kapacitet prej 3959 personash. Sipas Delic, vetëm për vitin 2010, kjo krociere ka planifikuar 11 lundrime me destinacione të ndryshme, ku do të udhëtojnë me të rreth 1.2 milion turistë. Unioni i Operatoreve turistike shqiptarë në turin 2-ditor në zona të ndryshme turistike në Mal të Zi, organizoi disa takime edhe me përfaqësues të shoqatës së hoteliereve turq, të cilët paraqitën para agjenteve shqiptarë ofertat e fundit për këtë sezon veror. "Turqia do të ketë ofertat më të mira gjatë këtij sezoni dhe nuk besoj që turistët do t'a ndërrojnë Antalian. Kriza globale nuk ka ndikuar tek ne në sektorin e turizmit, pasi po e luftojmë këtë krizë me çmime konkurruese. Ofertat për këtë vit do të jenë më të mira se vvjet dhe cilësia më e lartë. Nga viti në vit numri i shqiptarëve që preferojnë të kalojnë pushimet në Turqi rritet nga 10-15 %", u shprehën përfaqësuesit e turizmit turk./n.m/
KOMENTE