English

Mitrovice- Kastrati: Eulex Duhet Te Jete Shume Me I Vendosur Dhe Me Energjik Per Rendin Dhe Ligjin Ne Veri

I PRISHTINË, 26 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha sot se EULEX-i duhet të jetë shumë më i vendosur dhe më energjik për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri, pasi ky është edhe qëllimi kryesor i pranisë dhe i misionit që ka në Kosovë. "Ka dy vjet që EULEX është në Kosovë dhe në veri janë bërë hapa shumë të vegjël dhe gjendja mbetet e brishtë. Doganat nuk janë vënë në funksion, gjykatat po ashtu, krimi në veri është shumë i lartë dhe nuk ka masa ndëshkuese", ka deklaruar Kastrati. Ai ka pritur në takim konsullin kanadez në Kroaci, David Fairchild, me të cilin ka biseduar për gjendjen e përgjithshme dhe për zhvillimet në komunën e Mitrovicës dhe në pjesën veriore të Kosovës. Sipas zyrës së shtypit të komunës së Mitrovicës, konsulli Fairchild, i cili ka edhe rolin e këshilltarit në Ambasadën e Kanadasë në Kroaci, është interesuar për situatën e sigurisë, si dhe për raportet ndëretnike në këtë pjesë të Kosovës. Situatën e sigurisë Kastrati e ka vlerësuar të qetë, përkundër provokimeve nga grupet serbe. Ai ka vënë në dukje se strukturat paralele serbe që financohen dhe dirigjohen nga Beogradi në veri të vendit janë duke tentuar për ta mbajtur gjendjen të tensionuar. Këto struktura vazhdimisht bëjnë veprime provokuese për shqiptarët që jetojnë në veri, ka theksuar kryetari i komunës. Kastrati ka theksuar se përkundër këtyre provokimeve, banorët shqiptarë janë treguar shumë të matur, duke i kontribuar qetësisë dhe duke mos lejuar pershkallezimin e situatës, që është qëllimi i strukturave paralele serbe. /a.ke/
KOMENTE