English

Monitorimi i ajrit, OBSH:Tirana, 30 % mbi normat e BE

Tiranë, 26 maj, NOA - Qendra e Tiranës ka nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit në krahasim me zonat e tjera të kryeqytetit. Niveli i ndotjes i kapërcen rreth 30 për qind më shumë, limitet e caktuara nga BE dhe OBSH.

Ndryshe nga herët e tjera, shifrat e larta të nivelit të ndotjes u raportuan sot nga përfaqësuesi i zyrës së OBSH-së, në Bon të Gjermanisë, Majkëll Krizanovski, i cili i ka çertifikuar në laboratorin e Vjenës, rezultatet e matjes së ajrit, të kryera nga specialistët tanë të Institutit të Shëndetit Publik.

“Nga të dhënat ka tejkalime 20-30 për qind më shumë nga limitet.”- raportoi Majkëll Krizanovski.

Grimcat e imëta me dimensione më të vogla se 10 mikron që kanë periudha të ndryshme janë ndotësit më problematikë në Tiranë.

Ato vijnë nga të gjitha llojet e djegieve dhe nga risuspendimi i pluhurit të rrugës, i cili bën që grimca fare të imëta të transmetohen në distanca shumë të largëta.

“Ne si OBSH e ISHP jemi të interesuar më shumë për këto grimca të imëta, që ndikojnë së tepërmi në agravimin e sëmundjeve të zemrës, qarkullimit të gjakut dhe uljes së jetëgjatësisë”, - u shpreh përfaqësuesi i OBSH-së.

Sipas të dhënave më të fundit të ISHP-së, një tjetër tregues i ndotjes në ajër është edhe benzeni, i cilësuar gaz kancerogjen, i cili çlirohet nga makinat në trafik.

Nga monitorimi i vazhdueshëm i ajrit që kryen ISHP, vihet re një rritje e ndotjes së ajrit edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Sipas specialistëve, në tre vitet e fundit ka një qëndrueshmëri të shifrave të raportuara, çka tregon për mungesën e masave që duhet të merren për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

b.a/NOA

KOMENTE