Obama Dhe Homologu Italian Diskutojnë Për Politikën E Jashtme Dhe Mbrojtjen
UASHINGTON, 26 maj /ATSH-AFP/ - Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama dhe homologu italian Giorgio Napolitano diskutuan dje për politikën e jashtme, ekonominë dhe mbrojtjen mes temave të tjera të interesit të përbashkët gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi presidenca amerikane.
"Gjatë kësaj mbledhjeje që përfshihej në programin zyrtar të Obamës, por pa praninë e shtypit, dy kryetarët e shteteve biseduan për një sërë çështjesh strategjike, ndër të cilat Irani, Afganistani, Ballkani, procesi i paqes në Lindjen e Mesme, lufta kundër terrorizmit dhe rimëkëmbja ekonomike botërore", bëri të ditur Shtëpia e Bardhë në një komunikatë.
Obama e shfrytëzoi këtë rast për t'i shprehur falenderimin liderit italian për ndihmesën e madhe që jep Italia për paqen dhe stabilitetin në botë, sidomos me kontingjentet e dislokuara në Afganistan, në Liban dhe në Ballkan, vazhdoi i njëjti burim.
Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se Italia mban në tokën e saj 13 000 ushtarë amerikanë dhe familjet e tyre, gjatë këtij takimi me homologun italian, funksionet e të cilit janë kryesisht honorifike.
/I.Pu.