Kompania prezanton arritjet dhe hapat e mëtejshëm për hedhjen e shërbimit në treg
Tiranë, 26 Maj 2010 NOA/ Rid Bulku - Plus, operatori më i ri në tregun shqiptar prezantoi sot në një konferencë për shtyp arritjet e tij të deritanishme dhe planet afatshkurtra për ofrimin në treg të shërbimeve të tij.
Drejtori Ekzekutiv i Plus, z. Moni Buchnik njoftoi sot se kompania ka nënshkruar tashmë marrëveshjet tregtare me furnitorët kryesorë të rrjetit, pas procesit tenderues:
Disa kompani shqiptare janë kontraktuar për kryerjen e punimeve të nevojshme për ndërtimin e rrjetit: ndërtimin e stacioneve të backbone, stacioneve në terren, stacioneve në godina, ofrimin e shërbimeve dhe pajisjeve elektrike, mirëmbajtjen e rrjetit si dhe shërbimin e sigurisë fizike për rrjetin etj.
Nokia Siemens është përzgjedhur si furnitori i RAN (Radio Access Network) dhe pajisjeve të Core Network (çentralit).
NEC është përzgjedhur si furnitor i rrjetit backbone dhe linqeve të tij microwave.
Comverse është kompania e përzgjedhur për të ofruar pajisjet BSS / VAS (tarifimi dhe shërbimet me vlerë të shtuar.
Z. Buchnik tha: “Ne jemi shumë të kënaqur me teknologjinë dhe furnitorët tanë. Për ne, ky proçes ishte i rëndësishëm për të siguruar cilësinë e shërbimit dhe për të përmbushur objektivat tona të biznesit. Tashmë që kontratat janë nënshkruar, ne jemi të bindur që kemi teknologjinë më të mirë dhe më të fundit që do të na mundësojë: shpejtësi drejt tregut, fleksibilitet, inovacion/diferencim, avantazh konkurrues dhe një rrjet të konsoliduar për të përballuar sfidat teknologjike që kemi përpara.
Gjëja më e rëndësishme është se duam të bashkëpunojmë me kompanitë shqiptare sa më shumë që të mundemi, me qëllim maksimizimin e efikasitetit të aktivitetit tonë duke ndihmuar në këtë mënyrë në mbështetjen e partnerëve shqiptarë të biznesit.”
Gjatë konferencës për shtyp, Z. Buchnik prezantoi parimet e biznesit dhe vizionin e kompanisë. Ai tha që Plus do të fokusohet në ndërtimin e një rrjeti cilësor në një kohë rekord, me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe rregullatore, si dhe në ofrimin e vlerave më të mira të shërbimit ndaj klientëve.
Ai theksoi që kompania synon të shndërrohet në një lider tregu në fushën e telekomunikacionit, duke sjellë vlera të shtuara tek klientët, sikurse shprehet në mënyrë mjaft domethënëse edhe në emrin e markës së kompanisë: Plus.
Plus ka përfunduar procesin e kontraktimit per më shumë se 100 stacione bazë dhe është aktualisht në procesin e ndërtimit të 50 stacioneve të tjera. Mbulimi do të shtrihet në faza, duke filluar nga zona Tiranë – Durrës – Rinas dhe më pas do të shtrihet në qytetet kryesore dhe rrugët kombëtare.
Investitorët kanë planifikuar të investojnë rreth 100 milionë euro gjatë dy viteve të para, prej të cilave rreth 35 milionë janë vendosur aktualisht në dispozicion nga ana e investitorëve shqiptarë. Kompania do të vazhdojë të investojë për optimizimin e rrjetit dhe shtimin e portofolit të shërbimeve në vitet e ardhshme.” - shtoi z. Buchnik
Kryetar i Bordit Drejtues të Plus z. Petraq Shomo, tha se Plus-i është i vetmi biznes shqiptar në fushën e telefonisë së lëvizshme dhe po hyn në një mjedis mjaft konkurrues. “Sidoqoftë - tha ai - ne jemi të bindur në suksesin tonë për shkak të:
Sigurimit të teknologjisë më të mirë dhe më të fundit;
Ekipit më të mirë të punonjësve, që të gjithë shqiptarë, që po punojnë për të sjellë kompaninë në treg me avantazhe shumë të forta konkurruese (si teknologjike ashtu edhe tregtare);
Bashkëpunimit përmes partnerëve shqiptarë të biznesit që do të maksimizojnë efiçencën e kostos;
Aftësive financiare për të mbështetur rritjen e këtij biznesi si investitorë;
Ne do të fitojmë besimin e konsumatorëve, për shkak të produktit dhe cilësisë që ne ofrojmë, por edhe për shkak se aktiviteti ynë është një kontribut direkt në ekonominë e vendit dhe në jetën e shqiptarëve. Ne do të hapim në mënyrë direkte dhe indirekte mundësi punësimi si dhe do të krijojmë bashkëpunim me biznesin. Ne do të ri-investojmë paratë e klientëve në Shqipëri për përmirësimin e standardeve të vendit tone. (dhe jo jashtë vendit si konkurrentët tanë).
Për të gjitha këto arsye dhe për vlerat që ne do të ofrojmë, ne besojmë se klientët do të bashkohen me ne dhe do të qëndrojnë me ne.”
Në këtë konferencë për shtyp ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisë shqiptare, përfaqësues të AKEP-it, Autoritetit të Konkurrencës, përfaqësues të bizneseve partnerë të Plus-it si dhe përfaqësues të mediave në vend.
r.b/r.n//NOA
Në foto: Drejtoresha e Marketingu Amalinda Bediava, Kryetari i Bordit Drejtues te Plus Petraq Shomo, drejtor i PTK Kosove Shyqyri Hoxha dhe Drejtori i Plus Moni Buchnik, gjate prezantimit te arritjeve te kompanise te operatorit celular “Plus”, e cila po pregatitet te futet ne tregun e telekomunikacionit.
Fotot, NOA/LSA, foto të tjera, te Galeria
Rreth PLUS / Mobile 4 Al sh.a
Kompania u themelua më 26 Qershor 2009, me vendimin nr NUIS K91811014B të Gjykatës së Tiranës. PLUS i është akorduar licenca e GSM-së pas ofertës më të lartë prej 7.2 milionë eurosh në tenderin ndërkombëtar mbajtur më datë 23 Janar 2009. Sot, kompania numëron më shumë se 105 FTEs dhe është në procesin e ndërtimit të sistemeve dhe procedurave të brendshme për mbështetjen e aktivitetit tregtar që fillon së shpejti.
Kompania thotë se do t’u ofrojë klientëve të saj gamën e plotë të shërbimeve GSM, sikurse parashikohet në Autorizimin Individual, me synim penetrimin e shpejtë në treg.