Poloni - Nëna E Presidenti Kaczynski Mëson Për Vdekjen E Të Birit
VARSHAVË, 26 maj /ATSH-AFP/ - Një muaj e gjysmë pas aksidentit të avionit presidencial polak në Rusi, që shkaktoi vdekjen e presidentit Lech Kaczynski, nëna e tij e shtruar në spital më në fund mësoi për vdekjen e djalit të saj, njoftoi sot AFP-në ish-shefja e kabinetit të presidentit, Elzbieta Jakubiak.
"Jaroslaw Kaczynski, vëllai binjak i presidentit të ndjerë dhe Marta, vajza e tij e vetme, e njoftuan atë dje për vdekjen e Lech dhe të bashkëshortes Maria", bëri të ditur Jakubiak.
"Mjekët që e kuronin arritën në përfundimin se gjendja shëndetësore e Jadwiga Kaczynska, 84 vjeçe, e shtruar në spital që prej më tepër se dy muajve, është përmirësuar dhe e bën të mundur përballimin e lajmit. Ata po e kontrollojnë gjendjen e saj shëndetësore", shtoi ajo.
"Jaroslaw Kaczynski dhe Marta Kaczynska ndodhen maksimumin e kohës pranë saj në spital për ta përballuar së bashku vdekjen e Lech dhe Marias", shtoi ajo.
Katastrofa e avionit presidencial polak ndodhi më 10 prill pranë Smolenskut, në perëndim të Rusisë, ndërkohë që delegacioni polak po shkonte në Katin për t'u bërë homazh mijëra oficerëve polakë të ekzekutuar përpara 70 vjetëve me urdhërin e Josif Stalinit.
Të 96 personat që ndodheshin në aeroplan gjetën vdekjen.
/I.Pu.