Paris, 26 Maj, NOA – “Francezët duhet të investojnë në Shqipëri, pasi ky është një vend i bukur, i sigurt dhe me interes për investime. Shqipëria është vend i rinisë, pasi mosha mesatare e popullsisë është 31 vjeç. Qeveria franceze do të mbështesë kompanitë franceze që duan të investojnë në Shqipëri”.
Me të tilla fjalë, Sekretarja e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Francës, Anne Marie Idrac, vlerësoi situatën aktuale mbi investimet në Shqipëri, duke shprehur edhe mbështetjen e plotë të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian gjatë konferencës “Shqipëria: Në rrugën drejt integrimit në BE”, zhvilluar në Paris.
Ndërsa ministri shqiptar i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, bëri një panoramë të shkëlqyer të realitetit shqiptar, reformave që ka ndërmarrë qeveria në funksion të nxitjes së investimeve të huaja dhe vendase në vend, si dhe theksoi faktin se shqiptarët janë një popull miqësor dhe mikpritës.
Ai i ftoi investitorët francezë të investojnë në Shqipëri, duke theksuar faktin se Shqipëria është një vend ku ata mund të nxjerrin shumë fitime, pasi ka një klimë jashtëzakonisht miqësore për biznesin, një qeveri pro biznesit, taksa të ulëta, forcë pune të kualifikuar dhe të lirë.
“Shqipëria, - tha Prifti, - është një vend që ka shumë sektorë në të cilin mund të investojnë investitorët francezë si sektori energjetik dhe minerar, që janë kthyer kohët e fundit në sektorë tepër tërheqës dhe fitimprurës për investime”.
Duke folur për krizën globale dhe efektet që ka dhënë ajo në gjithë Europën, por sidomos në vendeve e Europës Juglindore, ministri Prifti tha se kjo krizë ka dhënë efektet e saj negative gjatë 18 muajve të fundit.
“Vendet e Europës Juglindore, - tha Prifti, - janë përballuar me kufizime të konsiderueshme fiskale, me rënie të tregtisë, paqëndrueshmëri të monedhës etj dhe shumica e vendeve në rajonin tonë janë detyruar të kërkojnë edhe mbështetjen e FMN”, përfundoi ai.
n.e/NOA