English

Prokurimi Elektronik, Dëshmi E Vullnetit Të Qeverisë Për Përmirësimin E Klimës Së Biznesit

- Kryeministri Berisha shprehet pas publikimit të raportit të OKB-së që e rendit Shqipërinë në vendin e parë për vendosjen e prokurimeve tërësisht elektronike dhe e vlerëson me çmimin e dytë për transparencën e prokurimeve në administratë - TIRANË, 26 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka renditur Shqipërinë si vendin e parë me prokurime qind për qind elektronike, pas analizës së gjithë vendeve të plantit, dhe ky tregues, sipas Kryeministrit Sali Berisha, "është dëshmi e vullnetit të qeverisë për të vendosur rregullat më të ndershme dhe për të përmirësuar në maksimumin e mundshëm klimën e biznesit në vend". Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha i kushtoi një vend të rëndësishëm raportit të OKB-së lidhur me prokurimet publike, duke nënvizuar se "rezultatet e këtij raporti lidhen me vullnetin politik, pasi kjo qeveri u zotua për 'duar të pastra' dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit". Kryeministri informoi se administratës shqiptare iu akordua çmimi i dytë për Europën dhe Amerikën e Veriut, për sa i përket transparencës së prokurimeve. "Ky çmim, i cili ka si motivacion përmirësimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë së shërbimeve publike, është vlerësimi më i madh që i bëhet administratës së këtij shteti në tërë historinë e saj", tha Berisha. Ky çmim, sipas Kryeministrit, vjen si rezultat i vlerësimit shumë pozitiv të procesit qind për qind elektronik të prokurimeve në Shqipëri. "Shqipëria dëshmoi një vullnet të hekurt, por në vlerësimet që bënë OKB, thekson se me përpunimin qind për qind elektronik është dhënë një kontribut i madh në përmirësimin e perfomancës së administratës në Shqipëri. Vetëm 4 vite më parë 70 për qind e prokurimeve ishin direkte, ndërsa sot qind për qind e tyre janë elektronike", tha Kryeministri Berisha. Kreu i qeveris theksoi se "po punohet për katalogun elektronik të blerjeve të vogla në institucione, një standard ky tërësisht transparent". /k.sh/
KOMENTE