Tiranë, 26 Maj, NOA – “Çfarë është parë e dëgjuar publikisht në sensin negativ nga seanca e shkuar e Kuvendit është qëndrimi primitiv dhe fjalori i rrugëve që portretizon folësit e Sali Berishës”.
Kështu ka reaguar zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, në emër të kësaj force politike lidhur me akuzat që po hidhen ndaj deputetit socialist Tom Doshi, i cili gjatë seancës së fundit plenare u konfliktua me deputetin demokrat, Gent Strazimiri.
“Në emër të kryetarit Edi Rama shpreh të gjithë keqardhjen për insinuatat e turpshme të një zëdhënësi të Sali Berishës lidhur me incidentin e provokuar në Kuvend nga një deputet, po ashtu i Sali Berishës”, tha zëdhënësja Imeraj.
Sipas saj, “Berisha duhet të kuptojë se qëllimi nuk justifikon mjetin dhe as arroganca e pushtetit nuk ia zgjidh dot atij sikletin”.
“Apeli i kryetarit të Partisë Socialiste për kryeministrin është: të ecim në rrugën e arsyes, sepse rruga qorre e luftës me opozitën vetëm e thellon krizën qeverisëse në dëm të vendit”, përfundoi ajo lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA