Zgjedhjet lokale në Malin e Zi: Koalicioni i partisë së kryeministrit Gjukanoviç, UDSH-së së Ferhat Dinoshës dhe një partie boshnjake fiton në Malësi. Një analizë e disa prej faktorëve që ndikuan në rezultatin e një prej votimeve më të diskutuar të vendit dhe mite e interpretime që nuk mund të injorohen
Nga Ruben Avxhiu*
Ditën e diel u mbajtën zgjedhjet lokale në Malin e Zi dhe rezultatet sigurisht kanë qenë të hidhura për dikë e të ëmbla për dikë tjetër.
Si rrallë më pare, në qendër të vëmendjes për shqiptarët ka qenë beteja zgjedhore në Malësi. Rajoni me qendër Tuzin është përfshirë prej ditësh nga ethe politike që kishin të bëjnë më fushatën por jo vetëm me të.
Ka gati dy vjet që pushteti lokal në Malësi pothuajse nuk po funksionon. Rajoni ka statusin e komunës urbane, që shihet si një diskriminim nga shumica e shqiptarëve. Ndërsa rajonet e tjera të ngjashme si ajo në Malin e Zi, janë të pavarura, Malësia ka mbetur nën Podgoricën.
Shqiptarët e partisë së Ferhat Dinoshës këtë e kanë parë si avantazh për të marrë më shumë fonde e shërbime në të mirë të shqiptarëve.
Partitë e tjera shqiptare e kanë parë si diskriminim që i bëhet Malësisë vetëm se ajo banohet me shqiptarë. Në një provë force mes shqiptarëve të opozitës dhe pushtetit qendror në Podgoricë, as komuna e plotë nuk po aprovohet e as ajo urbane nuk po funksionon. Sigurisht që ata që e pësojnë në radhë të parë janë njerëzit e thjeshtë që ndërkohë përballen me hallet e përditshme në një ekonomi të mjerueshme. Papunësia është e lartë, investimet e ulëta dhe emigracioni një ëndërr/ankth i përhershëm.
Në këto kushte, këto zgjedhje ishin kyçe për të zhbllokuar situatën në Malësi.
Kur edhe vota e fundit u numërua të hënën në mbrëmje, Koalicioni për Tuzin Europian i partive malazeze të Gjukanoviçit, UDSH-së së Ferhat Dinoshës dhe një partie boshnjake kishin marrë 2733 vota, që është përkthyer në 11 vende në kuvendin lokal të Tuzit nga 21 që janë gjithësej. 11 është në fakt numri i artë. Është minimum që nevojitet për të qeverisur pushtetin lokal.
Pra zhbllokimi i situatës ndodhi. Tani nuk do të ketë më konflikt mes pushtetit lokal dhe atij qendror për funskionimin e komunës urbane. Mirëpo, përkrahësit e një nisme të mbështetur me forcë nga diaspora për ta bërë Malësinë me Tuzin në krye komunë të plotë në Malin e Zi, e shohin këtë rezultat zgjedhjesh si një errësim të perspektivës për të ardhmen e Malësisë.
Fitues dhe të humbur, festë dhe nervozizëm
Dje festa ka vazhduar në Tuz deri në orët e vona të mëngjesit për mbështetësit e partisë së Ferhat Dinoshës. Një nga veteranët e politikës shqiptare në Malin e Zi, Dinosha adhurohet nga pasuesit e tij pothuaj në masën që urrehet nga militantët e partive opozitare. Por ai ka qenë personi instrumental në fitoren e koalicionit qeveritar në zgjedhjet lokale.
Nga ana tjetër, një mërzi e zhgënjim i madh po mbretëron në kampin opozitar. Të mbledhur nën “Koaliconin për Malësinë”, tre parti opozitare shqiptare: Iniciativa Qytetare - Vasel Sinishtaj, Lidhja Demokratike – Nikollë Camaj, Alternativa Shqiptare – Gjergj Camaj, ata kanë qenë të bindur në fitoren e tyre. Mosmarrëveshjet janë lënë mënjanë për t’iu hakmarrë Podgoricës për refuzimin e kërkesave për komunë të plotë e për preferencën që i ka bërë Dinoshës.
Të mbështetur nga diaspora dhe me parulla patriotike që evokojnë vitet e luftës së armatosur kundër malazezëve, “Koalicioni për Malësinë” është përpjekur të japë kushtrimin mes shqiptarëve për t’u bashkuar për një fitore historike.
Rezultati i votave i ka lënë të shtangur dhe disa madje janë shprehur me pesimizëm të theksuar. Vilson Sinishtaj në një shënim në një faqe internet të njohur të Malësisë, e ka quajtur humbjen si fillim të asimilimit të plotë të shqiptarëve të Malësisë.
Por humbja sjell me vete reagime të nervozuara. Ende pa u gdhirë e nesërmja, disa po flisnin se ka ardhur koha për ndërrimin e udhëheqësve që humbën. Këto janë reagime normale emocionale të humbjes. Se çfarë do të ndodhë mbetet për t’u parë, por ia vlen të ndalesh në arsyet e humbjes së Koalicionit për Malësinë dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen.
Për partitë shqiptare humbja mund të dukej e pamendueshme. Si mund të votosh për “pushtuesin” e jo për shqiptarin? Po në fakt, një sy i jashtëm e i ftohtë mund të kishte vënë re shenja të qarta të humbjes së ardhshme.
Fitore e koalicionit qeveritar në mbarë vendin
Shqiptarët që janë kredhur sot në diskutime të ashpra për rezultatet e zgjedhjeve të të dielës në Malësi kryesisht i shohin ato vetëm në kuadër të Malësisë.
Një mënyrë tjetër për t’i parë ato, është në kuadrin e madh të mbarë vendit. Koalicioni i Partisë Demokratike të Socialistëve e udhëhequr nga Milo Gjukanoviçi fitoi në 12 nga 14 komunat e vendit.
Ky ishte një triumf elektoral për kryeministrin, politikanin që prej dy dekadash mbizotëron në politikën e Malit të Zi, që akuzohet për tradhti nga serbët, për korrupsion nga të huajt dhe një pjesë e vendasve dhe për anti-shqiptarizëm nga disa prej shqiptarëve.
Nga ana tjetër, shumica e malazezëve e shohin si hero, si baba të pavarësisë së re të Malit të Zi, Perëndimorët e shohin si njeriu që e braktisi Millosheviçin në momentin kur duhej dhe një pjesë e shqiptarëve e falënderojnë për njohjen që i ka bërë Kosovës.
Për largimin e tij nga politika është folur disa herë. Akoma më me intensitet është folur në muajt e fundit. Flitet se pasurimi i tij i madh për shkak të lidhjeve të dyshimta biznesi i ka mërzitur amerikanët deri në pikën sa i kanë thënë që të largohet se po dëmton shanset e Malit të Zi për në Europë.
Po këto sigurisht nuk janë të provuara. Gjukanoviçi është personi kyç në ndalimin e influencës së Beogradit mbi Podgoricën dhe nëse është vërtet duke ikur nga politika, i dha vetes kohë për një fitore tjetër elektorale. Ashtu si shumë shqiptarë në Malësi, edhe shumë serbë në komuna të tjera të vendit janë shtangur me suksesin e koalicionit të Gjukanoviçit. Ishte një dallgë elektorale siç e quajnë këtu në SHBA dhe kur ndodh ka efekt edhe në zonat e dobëta. Në kuadrin e përgjithshëm, fitorja e koalicionit qeveritar në Malësi mund të ketë qenë efekt anësor i kësaj dallge.
Kundër malazezëve apo kundër serbëve
Shumë shqiptarë që kishin besuar në fitoren e sigurt të Koalicionit për Malësinë e shohin votën e bashkatdhetarëve të tyre për koalicionin me malazezët si një tradhëti kombëtare. Ata recitojnë vargjet e Fishtës dhe valëvisin flamurin kuqezi në vend të atij shtetëror malazez.
Në këtë kontekst, si ka mundësi që një malësor t’i bëhet gjaku ujë dhe të votojë për “malazezët”?!
Sigurisht që duket e pamundur, mirëpo shqiptarët e Dinoshës nuk e shohin çështjen të ndarë në mënyrë kaq epike. Në një intervistë me gazetën “Illyria” përpara zgjedhjeve, Ferhat Dinosha argumentoi se në Malin e Zi nuk ka konflikt mes shqiptarëve dhe malazezëve por mes serbëve dhe malazezëve.
Sipas tij, shqiptarët janë shumë pak në numër dhe një rrëzim nga pushteti i koalicionit malazez sjell në pushtet koalicionin serb që është kundër pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, partitë shqiptare opozitare (ato që formuan Koalicionin për Malësinë) në përpjekje për të bllokuar pushtetin e Podgoricës në Tuz kishin bërë aleancë me partinë serbe të zonës e cila kishte protestuar ashpër njohjen e Kosovës nga Mali i Zi. Për këtë ai parashikonte ndëshkim nga votuesit në zgjedhjet e ardhshme. Mbase ai po spekullonte si politikan, por rezultatet e të dielës mund t’i përdorë për të treguar se kishte pasur të drejtë.
Fushata e koalicionit qeverisës ka pasur tone të forta kundër Beogradit. Serbët janë nervozuar me deklaratën e Gjukanoviçit se “nuk ka diasporë serbe në Malin e Zi” dhe se serbët aty nuk janë më shumë se qytetarë malazezë.
Pra, ndërsa Koalicioni për Malësinë e sheh problemin në kuadrin e Malësisë, UDSH e Dinoshës e sheh në kuadrin e Malit të Zi dhe nuk bën fushatë kundër shqiptarëve por kundër serbëve dhe Beogradit.
Shumë shqiptarë që votuan për Dinoshën, ditën e diel, më shumë se për malazezët, kanë votuar kundër serbëve. Ata ndoshta ndihen sot po aq patriotikë sa edhe veprimtarët e partive shqiptare që humbën.
E gjitha kjo tregon edhe njëherë se politika është çështje interpretimesh. Partitë e Koalicionit për Malësinë ishin të bindura se e drejta ishte me ta. Po e drejta nuk mjafton nëse interpretimi i saj nuk u ofrohet të gjitha grupeve të votimit, në mënyrat përkatëse si e shohin ato botën.
Statusi i Malësisë
“Kali i betejës” siç thotë një shprehje në gazetarinë politike, për Koalicionin e Malësisë kësaj here ishte pa dyshim çështja e statusit të Malësisë. Sipas një studimi të ri të kryer nga aktivistë të njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan, Malësia jo vetëm që e meriton që të jetë komunë më vete në Malin e Zi, por e vetmja mënyrë që të mbijetojë ekonomikisht dhe kulturalisht është të ndahet nga Podgorica.
Në kuadrin e një rënieje të përgjithshme të ekonomisë në Malin e Zi, për shkak të krizës botërore dhe në kuadrin e bllokimit të marrëdhënieve institucionale mes Podgoricës dhe Tuzit, komuna urbane ishte kthyer në një formulë pushteti që nuk po funksionte. (Rrethanat ndryshojnë tani me fitoren e koalicionit pro-podgoricar.)
Prej muajsh, partitë shqiptare kanë përqafuar idenë e luftës për një komunë të plotë për Malësinë. Ideja është popullore mes shqiptarëve të zonës dhe vota e tyre do të shkonte për të.
I vetmi ndryshim në javët e fundit ishte se edhe UDSH dhe partia e Gjukanoviçit filluan të flasin në përkrahje të një statusi të komunës së plotë për Malësinë. Madje UDSH shpalli edhe mbajtjen e një referendumi popullor në Malësi për këtë çështje.
Ideja e referendumit është kritikuar se rrezikon që në rast se nuk fiton atëherë komuna e plotë mund të hidhet në kosh si projekt. Po UDSH argumenton se nëse nuk fiton referendumi kjo do të thotë se malësorët nuk e duan komunën më vete dhe se vota është fjala e demokracisë. Po a janë të mirinformuar, a janë të ndërgjegjësuar sa duhet ata për të votuar në një referendum të tillë? A u bënë referendume edhe në komuna të tjera që janë sot më vete apo kjo është një shpikje nga ato që bëhen vetëm për shqiptarët?
Pavarësisht prej të gjithave, mbetet fakt se me këtë lëvizje UDSH dëmtoi fushatën e rivalëve të saj. Jeni për komunë më vete? Edhe ne!
Në momentin kur debate kalon në pikën “jo jeni - jo nuk jeni” njerëzit janë të prirur të mos votojnë më për çështjen po për lidhjet dhe simpatitë personale (edhe për inatet gjithashtu).
Numrat e popullsisë në Malësi
Kanë një shprehje amerikanët që thotë: “Nuk mund ta kesh tortën dhe njëkohësisht ta kesh ngrënë atë” (ose tortën e ke, ose në dorë ose në bark).
E përkthyer për situatën në Malësi, nuk mund të ikësh masivisht nga vendlindja dhe të presësh të triumfosh në zgjedhje. Shqiptarët në katër apo pesë dhjetëravjeçarët e fundit janë shpërngulur masivisht nga Malësia për shumë arsye: shtypja politike, ideologjike e ndëretnike, shtrëngesa ekonomike, mungesa e perspektivës, arsyet dhe mëritë personale, admirimi i suksesit të shqiptarëve në SHBA etj.
Ndërkohë, nga hapësira të tjera të Malit të Zi e të Ballkanit, njerëz të tjerë janë zhvendosur në Malësi. Një pjesë e tyre boshnjakë, apo edhe shqiptarë të asimiluar. Me vendosjen e demokracisë vjen edhe e drejta e lëvizjes së lirë. Nëse dikush gjen një shtëpi dhe një punë ai vjen dhe vendoset në lagjen tënde edhe nëse nuk të pëlqen. Vetë shqiptarët kanë kaluar oqeanin në kërkim të një jete më të mirë. Askush nuk duhet të habitet nëse dikush kalon një mal e një lumë.
Akuzat sigurisht nuk mungojnë se Podgorica në mënyrë indirekte po punon për transformimin demografik të Malësisë. Në fakt, kjo është e bazuar në logjikë. Përqindja e atyre që identifikohen si etnikisht malazezë është shumë e vogël në Malin e Zi. Kjo sigurisht është rrezikuese për të ardhmen e këtij shteti. I ndodhur në Ballkan, Mali i Zi është i ndërgjegjshëm për lojërat me kufijtë, për synimin e Beogradit për ta gllabëruar përsëri, për boshnjakët që nuk kanë identitet të përcaktuar, për shqiptarët që me shumicë ende shohin më shumë nga Shqipëria se nga Podgorica etj.
Në këtë situatë, malazezët kanë arsye që të propagandojnë ndjenjën qytetare mbi atë etnike dhe të përpiqen pa e tepruar që të shpërbëjnë shumicat në rajonet serbe, shqiptare e boshnjake.
Në fakt, shqiptarët kanë qenë një formacion i rëndësishëm në betejën kundër influencës serbe dhe besohet se nëse vjen puna për të rrezikuar republikën, përsëri do të jenë në anën e Malit të Zi. Vështirë se gjen shqiptarë që do të preferonin kthimin nën çadrën e Beogradit.
Po a është vërtet dora e Podgoricës mbrapa largimit të shqiptarëve dhe vendosjes në Malësi të etnive të tjera? Edhe kjo është çështje interpretimesh. Nëse je me Koaliconin për Malësinë përgjigjia është “Po”. Nëse je me Dinoshën përgjigjia është se “shqiptarët po ikin nga Mali i Zi, ashtu si shqiptarët nga Shqipëria dhe Kosova ikin në Perëndim për një jetë më të mirë”.
Fakt është që largimi, nëse vazhdon do ta bëjë akoma edhe më të vështirë grumbullimin e mjaftueshëm të votave në Malësi në favor të “partive shqiptare”. Edhe kështu siç është mjaftojnë disa qindra vota për të përmbysur drejtpeshimet politike. Nëse prirja vazhdon, nuk është çudi që të vijë një ditë që do t’i shohim këto zgjedhje me zili, për numrin e madh të “votave shqiptare”.
Përçarja e votës shqiptare
Partitë shqiptare opozitare kanë treguar urtësinë e nevojshme për të formuar koalicione për zgjedhje, por politika shqiptare e Malit të Zi mbetet shumë e përçarë. Tre partitë e koalicionit nuk mblodhën dot as dy mijë vetë, duke mbetur mesatarisht 600 vota për parti. Kjo tregon se diçka nuk shkon me këtë konstelacion politik.
Disa kanë përfituar nga humbja për të sulmuar personalisht udhëheqësit e tyre. Disa fajësojnë personat që kanë zgjedhur në lista. Kjo është normale pas humbjeve në zgjedhje. Është e natyrshme që partitë të kalojnë në një proces introspektiv.
Një nga arsyet që UDSH del gjithmonë partia më e forte, mund të jetë pikërisht kohezioni i saj si forcë politike. Krahu i Dinoshës ka një figurë qendrore, ai është vetë Ferhat Dinosha. Koalicioni për Malësinë vuan pikërisht nga kjo. I mungon një udhëheqës impresionues. Meqë u pëlqen të marrin shembuj nga historia shqiptare ata janë pak a shumë si Beslidhja e Lezhës pa Skënderbeun.
Nuk ka gjë më të bukur se kolegjialiteti, por për natyrën psikologjike të organizimeve shqiptare është e rëndësishme një kokë politike, një kryetar, një lloj miti politik. Një figurë frymëzuese që i bën njerëzit të dalin nga shtëpitë për të votuar. Ajo që nuk duhet është dikush që t’i bëjë ata që të dalin nga mendja.
Nuk është e domosdoshme që krahu opozitar shqiptar të bashkohet për të fituar kundër shqiptarëve të Dinoshës. Por është kërkesë e kohës që mes këtij krahu politik të dalë një prijës që duke respektuar autoritetin e udhëheqësve të tjerë të mbajë në dorë flamurin politik të koalicionit. Deri atëherë, druhem se opozitarët shqiptarë do të vazhdojnë të kritikojnë njëri-tjetrin e të shohin shpresat e tyre të shuhen në kutitë e votimit.
Po tani?
Tani nuk është fundi i botës siç e përshkruajnë disa. Zgjedhjet duhen lexuar me urtësi. Në fund të fundit, koalicioni për Tuzin Europian fitoi shumicën, por është një shumicë që mbahet me një votë të vetme.
Fituesit duhet t’i shtrëngojnë mirë radhët e tyre se mjafton një i pakënaqur, një i penduar, ose një i çmendur që shumica të rrëzohet si kala rëre dhe ose të krijohet situate e mëparshme ose të lejohen kompromise të reja për të joshur njerëz të tjerë në shumicën drejtuese.
Nga ana tjetër, ajo që humbësit dhe fituesit e zgjedhjeve harrojnë shpesh është se fitorja vjen me përgjegjësira. Deri tani Podgorica është ankuar se gjendja në Malësi është faji i shqiptarëve në Tuz që pengojnë fondet. Tani opozita pret me duar mbledhur se çfarë do të ndryshojë në Malësi. A do të mbahen premtimet? A do të vijnë fondet? Sa do të vijnë? Kujt do t’i jepen? A do të ketë favorizime politike e etnike?
Opozita në vend që të qajë ditën e diel, duhet të bëhet gati për të mbrojtur demokracinë dhe drejtësinë në Malësi. Të jesh në opozitë është gjithashtu përgjegjësi. Të dielën u votua, sot fillon beteja e re.
Nëse koalicioni fitues vë në jetë referendumin që premtoi, është e domosdoshme që të votohet në favor të komunës së Malësisë. Disa nga argumentet e Podgoricës janë me themel. Dalja më vete vjen me rreziqe ekonomike, është në fund të fundit një bast me historinë. Po shqiptarët meritojnë një shans vetëqeverisjeje të plotë ashtu si edhe të tjerët në Malin e Zi.
Opozita pra, në vend që të qajë e të shqyejë vetveten nga mëria, duhet të rigjejë forca për të rifilluar luftën për arritjen e komunës së plotë. Referendumi nuk duhet të jetë një betejë kundër Gjukanoviçit se kjo vetëm sa do ta rrezikojë shansin historik të shqiptarëve. As nuk duhet të bëhet një temë thjesht patriotike. Komuna do të jetë e të gjithëve atyre që do të jetojnë në të dhe fitorja ka nevojë edhe për votat serbe e boshnjake. Komuna është në fund të fundit një zgjidhje e mençur dhe praktike, pavarësisht se për malësorët ajo është edhe një e drejtë politike, historike e kombëtare.
Së fundi, tre udhëheqësit e koalicionit dhe figura të tjera të mendimit të njëjtë apo të ngjashëm politik në opozitë duhet të mendojnë për një udhëheqës. Mbase dikë nga shqiptarët e Amerikës, ndoshta dikë nga shoqëria civile brenda në Malësi, por gjithsesi, dikë që mund të përkushtohet, që nuk korruptohet lehtë, që është i matur në lidhje me Podgoricën por edhe i pakontrollueshëm prej tyre. Dikë që është inteligjent dhe i arsimuar por edhe i aftë të bisedojë me popullin.
Nëse një prijës i tillë del, jo të gjithë do ta presin krahëqafë. Do të ketë xhelozi e përplasje por do të ketë edhe një rifillim në jetën politike të Malësisë.
Ndërkohë, të gjithë nuk duhet të harrojnë se shqiptarët e thjeshtë në jetën e tyre të përditshme nuk mbahen gjallë thjesht me fjalë patriotike, por me ushqime e mjete jetese, me qartësi e siguri për të ardhmen. Në këto nevoja më shumë se në drejtësinë e kauzës gjenden shpesh arsyet e rezultateve në votime.
(*) Dërguar nga autori, redaktor përgjegjës i gazetës Illyria në New York