Tiranë, 26 Maj 2010 NOA – Pjesa e katërt - Edhe në vende të huaja, duhet të jetonim në ilegalitet. Ishim në kërkim ndërkombëtar dhe kjo na e vështirësonte shumë jetën. Të gjitha zgjidhjet e problemeve i shikonim tek përfundimi i shpejtë i gjyqit.
Por pavarësisht vlerësimeve inkurajuese për ecjen e gjyqit, e kundërta dukej sheshit. Seancat gjyqësore po dështonin njëra pas tjetrës. Dëshmitarët nuk paraqiteshin. Pretendohej se fletë-thirrje u dërgoheshin disa dëshmitarëve për çdo datë gjyqi, por nuk paraqitej asnjë, e rrallë një ose dy prej tyre. Ftuesi i gjykatës pretendonte se nuk i gjente adresat që kishte dhënë prokuroria. Duhej bërë diçka. Djali i hallës, Genti, mori përsipër të na ndihmonte për zgjidhjen e problemit....
“Ilaçi” u gjet. Atyre që nuk banonin në Tiranë u premtohej një automjet në dispozicion për të shkuar dhe për t’u kthyer, atyre që nuk paraqiteshin duke thënë se nuk kishin çfarë të dëshmonin, u bëhej lutje që të paraqiteshin dhe le t’i kërkonin gjykatës që prokurorët t’u lexonin ato që ishin shkruar e nënshkruar në procesverbalet e mbajtura në kohën kur kishin ndodhur ngjarjet.
Probleme krijonin rithirrjet e dëshmitarëve në rastet kur seanca dështonte për arsye se mungonte ndonjëri prej gjyqtarëve, veçanërisht njëri nga tre gjyqtarët i kishte shpeshtuar mungesat.
Problem mbeti për një kohë të gjatë, gjetja e atyre dëshmitarëve, që djallëzisht prokurorët nuk ua kishin shënuar emrat në listë për t’iu paraqitur gjykatës....
Gjendjen në të cilën ndodhej procesi dhe kojen e qëllimshme të prokurorit me listën e gjatë të dëshmitarëve që jepte përmbajtja e një letre që do t’i drejtohej Prokurorit të Përgjithshëm. Ishte fundi i muajit tetor 2000....
“Zoti Prokuror i Përgjithshëm!
Kaluam 4 vjet qëkurse organi juaj ka ngritur një akuzë për të ashtuquajturën “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë”. U jemi drejtuar edhe herë tjetër me kërkesën për të bërë hetime, në sajë të presioneve të shtypit, ajo iu çua gjykatës “brenda” afatit ligjor, 14 tetor 1998.
Pas dy vjetësh gjykimi dhe zhvillimi të më shumë se 65 seancave gjyqësore, akoma nuk kanë përfunduar së pyeturi dëshmitarët e zgjedhur nga prokurori i çështjes, z. Alban Kalaja. Listës, ditët e fundit, iu shtuan edhe 5-6 të tjerë. Kërkesën e prokurorit, gjykata edhe këtë herë e pranoi, pa marrë parasysh mendimin e avokatëve. Neve nuk ka preokupon numri i madh i dëshmitarëve, por këmbëngulja e prokurorit që ata të pyeten në sallën e gjyqit. Këmbëngulja për t’u paraqitur në sallën e gjyqit, dëshmitarë që nuk dinë asgjë për autorët e krimeve të ndodhura nuk ka qëllim tjetër veçse të shtyjë sa të jetë e mundur më gjatë përfundimin e gjyqit ..
Mund të ketë arsye të tjera, por ne na duket se ai nuk e shfrytëzon lehtësinë e krijuar vetëm se nuk do që procesi të përfundojë....
Ne kërkojmë që Ju si përfaqësuesi më i lartë i akuzës, t’i kërkoni vartësit tuaj, z. Kalaja, që të mos e pengojë përfundimin e procesit me pretekste, që janë parashikuar si të kapërcyeshme nga ligji dhe aq më tepër, krejtësisht në favor të akuzës. Leximi i thënieve të dëshmitarëve, na dëmton neve, të akuzuarve.
Meqenëse është kështu, mendojmë se z. Kalaja nuk do ta keqkuptojë ndërhyrjen tuaj dhe në datën 12 dhjetor 2000 do t’i lexojë thëniet e dëshmitarit Kaloshi dhe të gjithë të tjerëve që s’gjenden, por ai i mban si të rëndësishëm për të provuar akuzën”.
Në seancën e radhës, kishte munguar prokurori dhe prokuroria e rrethit e kishte justifikuar mungesën e tij me pamundësinë shëndetësore. Më vonë, u njoftuam se Kalaja ishte larguar fshehurazi nga detyra. Komenti që jepej, nuk ishte shpresëdhënës për përfundimin e shpejtë të gjyqit, por shpresohej se edhe mund të kthehej. Me ndihmën e një shokut tonë, nëna ia kishte gjetur shtëpinë Kalasë dhe i kishte dhënë babit të tij një letër me pak rreshta. Letra e nxiste prokurorin që të kthehej në detyrë.
Një ditë më vonë, prokuroria e kishte njoftuar avokatin se prindërit e e Kalasë e kishin çuar letrën që u kishte dhënë nëna dhe ishin shprehur se djali kishte ikur jashtë shtetit për arsye shëndetësore dhe do të kthehej. Avokati kishte kërkuar që akuzën ta përfaqësonte prokurori Andre Thomallari me qëllim që të mos pengohej zhvillimi i gjyqit, por titullari i prokurorisë i kishte thënë se zëvendësimi nuk mund të bëhej, pasi prindërit e Kalasë nuk i kishin dorëzuar çelësat e kasafortës. Koha kalonte ...
Për të zhbllokuar gjendjen e krijuar, sërish u trokit në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Arben Rakipi.
“Z. Prokuror i Përgjithshëm,
Të befasuar nga sjellja e vartësit tuaj, z. Alban Kalaja, i drejtuam atij kërkesën e mëposhtme:
Familjes Kalaja, Për z, Alban.
Z. Alban,
Në datën 12.12.2000, kishim seancën gjyqësore të radhës. Ajo nuk u zhvillua sepse mungonit ju. Mungesa u justifikua me gjendjen tuaj shëndetësore jo të mirë. Mirëpo, sot marrim vesh se ju qenkeni larguar jashtë shtetit, duke e braktisur përkohësisht apo përfundimisht detyrën dhe mbrojtjen e akuzave, që janë ngritur kundër nesh katër vjet më parë. Ky është një veprim që bie ndesh me ligjet e shtetit dhe me interesat tona si të akuzuar. Deri tani, ndonëse e kuptonim që ju e shtynit gjyqin, duke përdorur si alibi mosparaqitjen e dëshmitarëve që nuk kanë asnjë vlerë provuese, mendonim se intrigat kriminale kundër familjes sonë dhe personave që lidheshin me ne, kishin për autor shtetin që i ndërmori për qëllime politike. Kjo na bënte t’i duronim të gjitha pasojat që na kanë ardhur nga represioni shtetëror dhe të shpresonim se gjithçka do të ndriçohej në sallën e gjyqit. Por largimi juaj i jep një domethënie tjetër problemit.
Ai flet se ju, meqenëse, alibia e dëshmitarëve nuk mund të justifikojë shtyrjen e mëtejshme të procesit, nuk doni të ballafaqoheni me falsifikimet dhe sajimet mbi të cilat janë ngritur akuzat që i keni administruar 4 vjet me radhë.
Nëse ju nuk ktheheni t’i mbroni akuzat para gjykatës deri në fund, atëherë na keni dëshmuar se krimet e kryera kundër nesh nuk janë kryer nga shteti për arsye politike, por nga ju personalisht.
Në emër të familjes, Besnike Shyti – Tiranë, më 14.12.2000”.
.... Ju lutemi z. Kryeprokuror, që të caktoni një prokuror tjetër për të mbrojtur akuzën në gjyq. Shpresojmë se prokurori tjetër do të merret seriozisht me këtë çështje që është jetike për ne, dhe të gjithë ata që lidhen me ne, por edhe shumë e rëndësishme për drejtësinë”.
..... Prokurori kishte bërë kujdes për të lënë jashtë listës dëshmitarë që nuk i ndihmonin akuzat, që kishte marrë përsipër të mbronte.
Një tjetër dëshmitar, burrë i moshuar, G.Kadria, e kishte vënë në të njëjtat vështirësi prokurorin, pasi ai kishte parë skenën e vrasjes së drejtorit të Burgjeve dhe kishte komunikuar me vrasësit ((njëri nga ata e kishte pyetur: Xhajë, sa është ora?”.
Dëshmitari i kishte thënë gjykatës se ishte thirrur nga Kalaja në Komisariatin nr. 2 të Policisë dhe duke pritur që të pyetej prej tij, shefi i Komisariatit, Sali Shehu, i kishte ofruar 10 milionë lekë, me kusht që t’i vinte gishtin një të arrestuari. Prokurori e kishte pyetur dëshmitarin se a e njihte atë (A. Kalanë). Pasi dëshmitari tha se e njihte, prokurori kishte dashur të “lante duart” dhe i kishte kërkuar t’i thoshte se ku ndodhej, kur shefi i kishte bërë ofertën. Burri i moshuar kishte përshkuar vendin konkret ku ndodhej prokurori, në momentin që Saliu i bënte pazarin. Ky ishte çmimi që prokurori pagoi në sallën e gjyqit, në përpjekje për të fshehur tentativën e blerjes së një dëshmitari të rremë.
Ne besonim se duke ditur të vërteta të tilla, Prokurori i Përgjithshëm do të bënte atë që duhej të bënte. Ai deri në atë kohë nuk kishte bërë asgjë, por mendonim se po t’i dinte, nuk do të gjente alibi për shurdhërinë e tij.
Me kalimin e kohës po mësonim edhe më shumë nga sa dinim për njerëz që e kishin pësuar vetëm sepse kishin lidhje me ne. Ishin futur në burg persona që rastësisht kishin me ne të njëjtin mbiemër, fqinjë që ishin zgjedhur me mendimin se mund t’i detyronin të thonin ndonjë gjë kundër nesh etj, Një nga këta ishte polici Edmond Kasmi. Në vitin 2008, nga shtypi do të mësonim për vuajtjet e këtij fqinji. Me Edmondin, ose Edin e Ramës siç e njihnim në lagje, kishim diferencë moshe dhe nuk kishim shoqëri me të.
Ishim mësuar të mos merrnim përgjigje për ankesat që i drejtonim prokurorisë dhe nuk prisnim përgjigje. Ajo që prisnim, ishte caktimi sa më shpejt i prokurorit tjetër.
Në muajin shkurt 2001, gjyqi rifilloi. Akuzën e përfaqësonte prokurori A.Thomallari, por vetëm për një seancë. Edhe Thomallari u zhduk papritmas.
Vëllezërit Leart dhe Orik Shyti, rrëfehen për herë të parë me detaje lidhur me atë që i ndjek nga pas prej afro një dekade e gjysmë, “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Një organizatë që u akuzua atëherë nga shteti për një seri ngjarjesh të rënda kriminale, aktesh terroriste, vrasjesh e grabitjesh. Orik Shyti dhe vëllai i tij Learti, rrëfehen si asnjëherë tjetër për gjithçka që ka ndodhur në këto afro 15 vjet dhe zbulojnë të pathëna të kësaj periudhe. Tregojnë fillesat e kalvarit që ende vazhdon, dhe detajojnë si ky kalvar, nisi në verën e vitit 1996. Gjithçka është hedhur në letër dhe që të mos mbetet vetëm për ta, kanë vendosur të nxjerrin një libër. “Ne. Hakmarrja për Drejtësi” dhe...”, është libri që nxjerrin Orik dhe Leart Shyti të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë. Libri, i nisur si ide në vitin 2004, është vendosur që të shkruhet më 2009 dhe vetëm këto ditë ka dalë në dritë. Ai gjendet në libraritë e Tiranës dhe rretheve. Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA ka marrë të drejtën ekskluzive të publikimit të pjesëve të përzgjedhura nga ky libër i vëllezërve Shyti. Vijon nesër Mediat që kërkojnë publikimin, të dërgojnë një kërkesë në info@noa.al për të marrë falas, materialin e plotë në word dhe fotot.NOA
“Hakmarrja...”, zbardhen vendimet e gjykatave të huaja për vëllezërit Leart e Orik Shyti
Rrëfehen Leart e Orik Shyti: Berisha, si tentoi të na marrë jetën
Vëllezërit Shyti nxjerrin një libër për “Hakmarrjen...”