English

Shqipëria Dhe Italia Angazhohen Për Rrugë Të Reja Bashkëpunimi Në Fushën E Mbrojtjes

- Ministri i Mbrojtjes, Imami takon në Romë homologun e tij italian, La Russa - TIRANË, 26 Maj/ATSH/.- Shqipëria dhe Italia angazhohen të mundësojnë rrugë të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, si kontributin në operacionet e paqes dhe rritjen e kapaciteteve të Forcave të Armatosura Shqiptare. Sipas një njoftimi të sotëm për shtyp nga Ministria e Mbrojtjes, ministri Imami ndodhej dje në Romë me ftesë të komandantit të Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s, gjen.major Wolf Dieter Loeser. Gjatë vizitës në këtë institucion të rëndësishëm të Aleancës, gjen.major Loeser shprehu vlerësimet e tij pozitive për bashkëpunimin e derisotëm midis Ministrisë së Mbrojtjes të NATO-s në Romë dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, ndërsa vlerësoi lart përgatitjen e studentëve shqiptarë që kanë studiuar në këtë kolegj. Ministri Imami vlerësoi rolin dhe punën e këtij kolegji në përgatitjen dhe kualifikimin e personelit të lartë ushtarak e civil. Gjatë vizitës së tij në këtë institucion ai mbajti leksionin me temë: "Shqipëria dhe NATO, anëtarësimi dhe sfidat e së ardhmes". Pas përfundimit të vizitës në Kolegjin e Mbrojtjes, ministri Imami u prit në një takim të veçantë nga ministri i Mbrojtjes i Italisë, Ignazio La Russa. Pasi shprehën konsiderata pozitive për bashkëpunimin shumë të mirë mes dy ministrive respektive, ministri Imami theksoi edhe njëherë se Italia është një vend me një kontribut të veçantë në fushën e bashkëpunimit ushtarak, duke shprehur kështu vullnetin dhe dëshirën për intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Nga ana e tij, ministri italian shprehu falenderime për kontributin e Shqipërisë në misionet e paqes, sidomos në Afganistan, ku trupat shqiptare veprojnë në kuadër të kontigjentit italian në Herat. Dy ministrat ranë dakort që të mundësohen rrugë të reja bashkëpunimi si në fushën e kontributeve në operacionet e paqes, rritjes së kapaciteteve të FA Shqiptare, si dhe në fusha të tjera të rëndësishme. /a.s/f.n/
KOMENTE