English

Sociale - Italia Rrezikon Humbjen E Një Gjenerate Të Rinjsh Nga Mungesa E Vendeve Të Punës

ROMË, 26 maj /ATSH-ANSA/ - Italia po rrezikon të humbë një gjeneratë të rinjsh, të cilët janë të detyruar të jetojnë me prindërit e tyre në mungesë të mundësive për të gjetur një punë, deklaroi sot një ndër sociologët më të njohur të vendit. ''Vetëm ata që janë aq me fat sa të lindin në familjen e duhur mund të jenë të sigurt që nuk do të përfundojnë në një grackë të këtyre përmasave'', deklaroi Chiara Saraceno, eksperte e mirënjohur ndërkombëtarisht në fushën e sistemeve të mirëqenies. ''Numri i lartë i 34-vjeçarëve, të cilët jetojnë ende me familjen dhe nuk kanë një perspektivë besoj se përbën emergjencën reale më të madhe të Italisë", u shpreh ajo pasi agjencia kombëtare e statistikave 'Istat' raportoi për një trefishim të këtyre që nga viti 1983. "Të rinjtë me kualifikimet më të shumta dhe me një familje me të ardhura të një niveli të konsiderueshëm që i mbështet largohen jashtë vendit dhe krijojnë jetën e tyre. Pjesa tjetër mbeten pas". Saraceno, e cila aktualisht ndodhet në institutin presigjos së kërkimeve në Berlin, ka fajësuar si qeverinë e qendrës së djathtë po ashtu edhe opozitën qendrës së majtë për mos bërjen publike të gjendjes realisht të rënduar, në të cilën ndodhet vendi. "Fatkeqësisht nuk shoh ndonjë ndërgjegjësim lidhur me këtë nevojë emergjente në veprimet e qeverisë apo në qëndrimin e opozitës", u shpreh ajo. "Burimet po minimizohen dhe ndarja sociale po krijon një hendek gjithmonë e më të madh. Por besoj se situata mund të zgjidhet me veprimet e dukura'', theksoi Saraceno. "Do të duhet shumë kohë por, duhet të nisim diku", përfundoi ajo./ /i.p/ a.jor.
KOMENTE