Sport-Futboll/ Kuzhe, "Ndihem Më Shumë Se Kurrë Kuq E Zi"
TIRANË, 25 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ - Fitorja 1-0 ndaj Malit të Zi mbrëmë në Podgoricë ka entuziazmuar kampin kuqezi, ku të gjithë, që nga trajneri Kuzhe, deri tek futbollistët, e shohin me më shumë optimizëm të ardhmen.
Ka qenë një fitore speciale ajo për trajnerin e Shqipërisë, Josip Kuzhe, mbrëmjen e djeshme. Ai mposhti bashkëpatriotin e tij Zllatko Kranjcar, ndërsa përfundimisht duket se ka fituar edhe zemrat e shqiptarëve. Tifozët kuqezinj, të pranishëm në stadium, i kanë dedikuar kore mbështetëse dhe pankarta, ku më e veçanta ka qenë ajo që shkruante: "Kuze, one of us!" ("Kuzhe, njëri nga ne!").
Pas ndeshjes, Kuzhe theksoi se "ndihem kuqezi, sonte morëm një fitore që na vlen për të ardhmen", duke shtuar se "jam ndjerë që nga fillimi pjesë përbërëse e kësaj skuadre".
Përsa i përket ndeshjes Kuzhe tha se "sigurisht që jam i kënaqur me fazën mbrojtëse, por jo aq me sulmin. Humbëm që ne minutat e para një lojtar si Skela, gjë që na bëri të kishim mangësi në ndërtimin e lojës ofensive. Rezultati në ndeshje të tilla të jep më tepër besim dhe për këtë gjej rastin të komplimentoj të gjithë lojtarët.
Përsa i përket miqësores tjetër që do të luajmë kundër Andorrës, Kuzhe u shpreh se "do të aktivizojmë lojtarët e rinj. Sot u munduam të provojmë disa gjëra ndryshe".
"Alternativat nuk janë të shumta, por sot provuam diçka dhe jam i kënaqur nga ajo çfarë pashë në fushën e lojës. Nuk dua të përmend emra lojtarësh, por dua të them që nga të gjithë ata që luajtën jam mëse i kënaqur", është shprehur trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe./s.s./