Sport-Futboll/ Refik Halili, President I Tiranës Deri Në 31 Maj
- Donatorit të 24-herë kampioneve i skadon kontrata me Bashkinë e Tiranës -.
TIRANË, 26 Maj ATSH- Gjergji Mima/. - Refik Halili, financuesi kryesor i ekipit të Tiranës që nga viti 2004, mund ta mbajë zyrtarisht këtë post deri më 31 maj 2010, pasi pas këtij afati i skadon kontrata me Bashkinë e Tiranës, institucioni që ka në varësi edhe klubin rekordmen në Shqipëri.
Lajmin e bëri të ditur sot sekretari i klubit, Rauf Dimraj. Gjatë muajit qershor, kur nisin edhe përgatitjet për pjesëmarrjen në Ligën e Europës (kundërshtari do të mesohet më 21 qershor), priten zhvillimet të reja në kampin bardheblu.
Në fakt, vetëm shtatë lojtarë janë nën kontratë me Tiranën dhe kjo situatë mund ta komplikojë jo pak situatën, pasi futbollistët paguhen me kontrata të dyfishta, ku veç një pagese minimale, "pjesën e luanit" e ka mbuluar donatori Halili.
Refik Halili sponsorizon Tiranën që nga viti 2004, si pjesë e katërshes të donatorëve së bashku edhe me Shefikat Ngjelën, Agron Papulin dhe Avni Nurin, por këta tre te fundit u tërhoqën në vitin 2008 dhe në dy sezonet e fundit, Halili ka financuar i vetëm.
Sipas Dimrajt, i vendosur si sekretar klubi nga Bashkia e Tiranës, do të jetë kryesia e klubit ajo që do të vendosë për lojtarët që do të blihen pas kërkesave të trajnerit përkatës. Ai ka deklaruar se, "është e papranueshme që të komandojë sponsori, që të zgjedhë lojtarët e të bëjë strategjinë e klubit".
Halili, sponsori i vetëm i 24-herë kampioneve, ka paguar rreth 99 për qind të shpenzimeve të klubit, përfshirë dhe kontratat e lojtarëve dhe vetëm një pjesë e vogël financohet nga Bashkia e Tiranës. Shpenzimet vjetore te Tirana kapin shifrën e një miliard lekëve të vjetra. /a.ke/