English

Sport-Merkato/ Skuadrat E Superligës Startojnë Projektimin E Sezonit Të Ardhshëm

TIRANË, 26 Maj /ATSH- Gjergji Mima/. - Dy javë pas mbylljes së kampionatit shqiptar të futbollit, skuadrat kanë nisur të projektojnë ekipet që do të kenë sezonin e ardhshëm. Sulmuesi shkodran, Vioresin Sinani, shkëputi marrëdhëniet me Besën e Kavajës, me të cilën fitoi edhe Kupën e Shqipërisë dhe tashmë është lojtar i lirë (kontrata i skadon, më 31 maj). 3-herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë për momentin është lojtar i lirë, por ende nuk ka marrë ndonjë ofertë nga Vllaznia apo nga ndonjë ekip tjetër. Sinani ka shënuar gjatë karrierës së tij futbollistike në kampionatin shqiptar 199 gola. Trajneri Hasan Lika është larguar nga Apolonia pas sezonit të dështuar të fierakëve. Apolonia sezonin e kaluar u drejtua nga boshnjaku Esad Karishik deri në javën e 10-të dhe pas largimit të këtij të fundit, në 23 javët e tjera u drejtua nga Hasan Lika. Sezonin e ardhshëm Apolonia do të luajë në Kategorinë e Parë. Bylis, kampioni në fuqi i Kategorisë së Parë dhe tashmë i rikthyer në Kategorinë Superiore, ka hartuar listën e dëshirave gjatë merkatos verore. Drejtuesit e klubit ballshiot kanë piketuar sulmuesin e Apolonisë, serbin Mlladen Bërkiç (15 gola sezonin e kaluar), portierin e Kastriotit, Ilion Lika, mesfushorin e Vllaznisë, Enkel Alikaj dhe mesfushorin boshnjak të Gramozit, Semir Haxhibuliç. Skuadra nën drejtimin e Ilir Spahiut do të grumbullohet më 15 qershor, për të nisur fazën përgatitore për sezonin e ri 2010-2011 në Kategorinë Superiore. Sulmuesi i Dinamos, Fatjon Sefa (13 gola sezonin e kaluar) kërkohet nga Slaven Belupo. Trajneri i skuadrës kroate është ish-tekniku i Dinamos, Zllatko Daliç. Ky u fundit drejtoi blutë në gjysmën e parë të sezonit 2008-2009, i pasuar në stolin dinamovit nga Shkëlqim Muça. Sefa, i cili është edhe në planet e Besës së Kavajës, ka dhe një vit kontratë me Dinamon. Slaven Belupo është një emër i njohur për futbollin shqiptar, pasi në ballafaqimet ndërkombëtare është ndeshur me Teutën dhe Vllazninë. Skuadra durrsake e Teutës ia doli të mbijetojë në Kategorinë Superiore (vendi i 8-të) pas fitores 2-0 ndaj Vllaznisë në javën e fundit të edicionit 2009-2010. Presidenti i durrsakëve, Edmond Hasanbelliu, synon të formatojë skuadrën e re për Kampionatin e 72-të Kombëtar përmes një revolucioni. Sipas tij, skuadra do të ndryshojë 90 përqind. Ende nuk dihet nëse do të jetë trajner Ylli Shehu edhe për sezonin e ardhshëm. /a.ke/
KOMENTE