English

Teuta Arifi: Në BDI, ka fraksion

Shkup, 26 Maj, NOA - Zonja Teuta Arifi, nënkryetare e BDI-së, partisë shqiptare në qeveri në Maqedoni, pohon se brenda partisë së saj ka fraksion.

Ajo thotë se është në rritje numri i përkrahësve të idesë së saj, që partia duhet të braktisë qeverinë, qëndrim me të cilin nuk pajtohet kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Në intervistën për BBC-në, zonja Arifi mohon zërat se ajo është në koordinim me Ali Ahmetin, përkundrazi, sipas saj, qëndrimet e tyre janë të ndryshme për veprimin që duhet të marrë partia.

Zonja Arifi, a mund t'i konfirmoni zërat për ekzistencën e një fraksioni brenda BDI-së?

Po, mund të thuhet se ka mendime të ndryshme, meqenëse me normat tona statutore nuk janë të legalizuara fraksionet.

Mirëpo ka një linjë mendimi që angazhohet për rishqyrtim të pozicioneve politike të BDI-së. Ky rishqyrtim lidhet me një afat kohor dhe ka të bëjë me qershorin.

Nëse në statutin e partisë do të ishte lejuar franksionizmi, kjo lëvizje do të mund të konsiderohej si fraksion?

Po, mbase po, meqenëse ideja është konceptuale. Është ideja që vë në pikëpyetje mënyrën e tanishme të veprimit të BDI-së brenda këtij koalicioni që po dëshmohet se nuk është produktiv për partinë dhe nuk ka mbështetje të opinionit shqiptar në Maqedoni.

Opinioni shqiptar në Maqedoni gjithnjë e më tepër po krijon qëndrime kritike ndaj BDI-së.

Atëherë, zonja Arifi, cili është qëllimi i kësaj lëvizje për të cilën ju thoni se keni përkrahje edhe të një pjesë të strukturave partiake? E bëj këtë pyetje sepse, nëse juve i artikuloni publikisht këto argumente, a nuk do të duhej që edhe strukturat e tjera të partisë, madje edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti t'i kishte kuptuar ato?

Unë këto argumente i kam prezantuar gjithmonë në mbledhjet e kryesisë së partisë. Por prezantimi në publik ka edhe arsyen për t'i verifikuar se sa kanë mbështetje në opinion. Unë mendoj se dalja në publik me këto qëndrime ka dëshmuar se mbështetja ekziston.

A doni ju, zonja Arifi të bëheni lidere e BDI-së, e shqiptarëve të Maqedonisë?

Sigurisht që kjo nuk është ambicia ime. Unë dëshiroj që partitë politike shqiptare në Maqedoni, duke përfshirë edhe partinë time, të kenë liderë, që veçse do të jenë të hapur për mendimet e ndryshme, në të njëjtën kohë të arrijnë të përhapin qëllimin e atyre që mendojnë ndryshe.

Ky qëllim ka për synim kryesor përforcimin e partisë dhe jo të vetvetes. Themeltarë të partisë, në mesin e të cilëve llogaritem edhe unë, kanë përgjegjësi ndaj subjektit të tyre politike, ndaj liderit të tyre politik, që gjërat t'i thonë ashtu siç janë në mënyrë direkte dhe pa zbukurime.

Unë këtë e bëj pa marrë parasysh, nëse mund të shprehem ashtu, rreziqet për pozitat e mia partiake.

Nuk dëshiroj ta kalkuloj veten me fatin brenda partisë. Dëshiroj të kem një parti të fortë. Dëshiroj që BDI të sillet si faktor politik dhe jo si parti politike që nuk ka alternativa të tjera, veç qeverisjes në një koalicion me një kryeministër që po dëshmon se orientimet euro-atlantike nuk i ka përparësi.

Dallimi i deklarimeve tuaja, me ato të kryetarit tuaj, Ali Ahmeti, është nëse partia duhet apo jo të jetë pjesë e qeverisë. Pse nuk pajtoheni me qëndrimet e zotit Ahmeti se brenda institucioneve mund të ketë më shumë ndikim, për të arritur synimet për cilat flisni edhe ju?

Unë nuk them që shqiptarët të deinstitucionalizohen dhe të mos i përdorin metodat demokratike. Por synimet arrihen me një vullnet dhe gatishmëri të dyanshme.

Kam frikë se pala tjetër, partneri ynë i koalicionit nuk e ka vullnetin e njëjtë jo vetëm për çështjet shqiptare në Maqedoni, por edhe për politikat financiare, axhendën evropiane të vendit.

Për shumë çështje, ne konceptualisht dallojmë dhe, fatkeqësisht, brenda këtyre dy viteve ne nuk kemi arritur të ndërtojmë një përafrim. Prandaj ne si parti politike duhet të tërheqim vijën tonë shumë qartë, sepse koha është duke bërë presion mbi ne dhe këto çështje duhet të trajtohen seriozisht.

Kur ju jepni këto konstatime për funksionimin e qeverisë sigurisht përgjegjësi kanë edhe përfaqësuesit e BDI-së në qeveri. Nuk mund të mohet fakti se në qeverinë e Maqedonisë ka disa ministra që drejtojnë me fonde, me politika të caktuara. A mos ndoshta duhet shtruar pyetja se sa të aftë në fakt janë ministrat, përfaqësuesit shqiptarë në qeveri?

Partia ka pasur mundësi gjer më tani të vlerësonte nëse problemi është tek ata ose tek politikat tona partiake.

Por unë mendoj se kjo ka të bëjë më tepër me mënyrën se si ne si parti politike jemi vendosur në raport me partnerin tonë të koalicionit. Prandaj mendoj se është koha që ne duhet të bëjmë distancimin tonë të qartë.

Dhe raportet mes BDI-së dhe VMRO DPMNE-së, partnerit të koalicionit tuaj do të përmirësohen ose do të ndërtohen mbi një bazë tjetër, nëse BDI del nga qeveria?

Nëse BDI e tërheq vijën e qartë deri kur mund të qëndrojë në një qeveri. Kam përshtypje se ajo vijë duhet të tërhiqet.

BBC

KOMENTE