English

Topi: Shqipëri-Kosovë, marrëdhënie të shkëlqyera

Tiranë, 26 maj, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi u shpreh sot se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në nivelet e tyre më të mira.

Deklarata e kreut të shtetit u bë gjatë takimit me deputetë të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari i këtij Komisioni, Arsim Rexhepi.

Topi u shpreh se marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona reflektohen edhe në shkëmbimet e vizitave zyrtare të të gjitha niveleve.

“Duke shprehur vullnetin për forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat deri tani kanë vijuar të zhvillohen me sukses, Presidenti Topi vlerësoi lart punën e institucioneve të Kosovës për ndërtimin dhe funksionimin sa më mirë të një shteti demokratik dhe multietnik”, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.

Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, Arsim Rexhepi duke falënderuar Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të të gjitha institucioneve shqiptare në funksion të konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës, por njëkohësisht nënvizoi faktin se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në procesin e forcimit të mëtejshëm të institucioneve të saj.

Rexhepi garantoi bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojës në fushat e arsimit, shkencës, studimeve dhe kërkimit shkencor, teknologjisë dhe në këtë kuadër e informoi Kreun e shtetit shqiptar për hapjen e universitetit të ri në Prizren.

m.xh/NOA

KOMENTE