English

Usaid Program Per Zhvillimin E Lidershipit Ne Industrine Ushqimore

TIRANE, 26 Maj /ATSH-E.Xhajanka/,- Programi Konkurueshmëria e Bujqësisë Shqiptare i USAID-it, në partneritet me Bankën Credins, do të prezantojnë nesër në Tiranë "Programin për Zhvillimin e Lidershipit dhe Ekzekutivit në Industrinë e Ushqimore". Burime nga ky program bënë të ditur për ATSH-në, se programi i vjen si përgjigje e USAID-it përkundrejt prezencës së një numri relativisht të vogël kompanish shqiptare të angazhuara në tregtinë e produkteve bujqësore, që kufizon mundësitë e Shqipërisë për të kapur një pjesë më të madhe të tregut rajonal dhe ndërkombëtar. Programi për zhvillimin e Lidershipit dhe Ekzekutivit të Industrisë Ushqimore do të synojë t'i japë shtysë investimeve në bujqësi, sidomos për tregtimin e mallrave bujqësore, të ndërtojë një brez të qëndrueshëm të rinjsh, energjik dhe sipërmarrës të aftë, qe të udhëheqin eksplorimin dhe depërtimin e tregjeve të reja të produkteve bujqësore dhe të rrisë numrin e kompanive tregtare, duke krijuar kështu kërkesë për produkte të fruta-perimeve me vlerë të lartë për të përmirësuar ekonominë rurale dhe nxitur rritjen ekonomike. Instruktorët e programit do të trajnojnë me praktikat më të mira në industrinë ushqimore botërore, pjesëmarrësit e bizneseve dhe kompanive shqiptare nga rrethe të ndryshme të vendit. Burimet e mësipërme shpjegojnë se Programi Konkurueshmëria e Bujqësisë Shqiptare do të pranojë aplikimet për programin e trajnimit, i cili do të përfshijë seanca trajnimi intensive në Tiranë, për të përvijuar me një vizitë studimore që përmban takime me disa nga kompanitë më të mëdha të zinxhirit të shitjes me shumicë e pakicë në Bashkimin Europian. /a.ke/
KOMENTE