Bruksel, 27 Maj, NOA - Eurodeputeti dhe raportuesi për Maqedoninë, Zoran Taler tha se ky vend rrezikohet të hiqet nga rendi i ditës në Bashkim Evropian, për shkak të moszgjidhjes së emrit kushtetues.
“Të ndërmerret përgjegjësi, të merren qëndrime pro-aktive dhe të bëhet zhvendosje në raport me kontestin për emrin me Greqinë, në të kundërtën mundësitë janë të vogla që Maqedonia të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE në samitin në qershor të Këshillit Evropian (KE)”, tha Taler.
Sipas tij, nëse zgjidhet kontesti i emrit punët do të ecin mbarë për Maqedoninë.
"Nëse ndodh kjo, do të fillojnë negociatat dhe Maqedonia do të marrë detyra konkrete të cilat duhet t'i përfundojë, e kjo do të jetë mirë. Përderisa nuk ka përparim lidhur me emrin, e tani për tani për fat të keq ky është opsion më real, atëherë paraqitet rrezik që Maqedonia dalëngadalë të hiqet nga rendi i ditës. Kjo do të thotë se nuk do të jetë më në fokusin e vëmendjes së KE-së", potencon Taler.
Ai paralajmëroi apele shtesë nga Komisioni Evropian dhe PE-ja që të bëhet ndonjë hap pozitiv deri në samitin e qershorit.
Sipas tij, politikanët të cilët i marrin vendimet duhet të rrezikojnë dhe ta tejkalojnë atë, siç tha, "rubikon", të dakordohen dhe njëkohësisht të jenë në gjendje t'u sqarojnë qytetarëve se pse kjo është e mirë të bëhet. Për këtë, vlerësoi, ka argumente, do të vijojnë edhe rezultate dhe këto do të mund t'i shërojnë plagët e bëra të imazhit të tyre.
Ai konsideron se kryeministri Nikolla Gruevski është inteligjent dhe politikan i aftë, i cili ka instikt të jashtëzakonshëm politik, por, theksoi "edhe druan se kur do ta ndërmarrë këtë përgjegjësi nuk do të mbetet vet si tradhtar".
Sipas Talerit, ai e ka ndërmarrë përgjegjësinë jo se është e lehtë, por për shkak se është e vështirë dhe e din se është e mirë për Maqedoninë.
NOA-INA