English

Clinton: Shba Në Mospërputhje Të Thellë Me Brazilin Dhe Turqinë Për Iranin

UASHINGTON, 27 maj /ATSH-ANSA/ - Shefja e diplomacisë amerikane, Hillary Clinton deklaroi sot se SHBA-ja dhe Brazili kanë ''mosmarrëveshje të thella" lidhur me mënyrën e trajtimit të çështjes bërthamore iraniane, edhe pse marrëdhëniet dypalëshe janë të mira në fusha të tjera. "Kemi mospërputhje të konsiderueshme me diplomacinë braziliane lidhur me çështjen e Iranit", u shpreh Clinton në një nga deklaratat më të ashpra kundrejt Brazilit, po ashtu edhe me Turqinë, në përpjekje për të zgjidhur çështjen bërthamore iraniane. Teherani i ka dorëzuar më 24 maj një dokument AIEA-së ku informohej zyrtarisht lidhur me marrëveshjen Turqi-Brazil-Irani të nënshkruar më 17 maj. Marrëveshja e nënshkruar më 17 maj në Teheran parashikon shkëmbimin në territor turk të 1 200 kilogramëve uranium iranian të pasuruar lehtësisht deri në 3.5 për qind kundrejt 120 kilogramëve lëndë bërthamore djegëse të pasuruar rreth 20për qind, të siguruar nga fuqitë e mëdha dhe të destinuar për reaktorin e kërkimeve bërthamore me qëllime mjekësore të Teheranit. Pavarësisht ofertës së re, SHBA arriti javën e kaluar të bindë Kinën dhe Rusinë të mbështesin një projektrezolutë të Këshillit të Sigurimit në OKB që parashikon një raund të katërt sanksionesh kundër Iranit./ /e.v/
KOMENTE