English

Demiri: Po Presim Momentin E Duhur Për Emetimin E Eurobondit

TIRANE, 27 Maj/ATSH-A.Gjonaj/ .- Tregjet financiare po monitorohen çdo ditë për të gjetur momentin e duhur për emetimin e eurobondit të qeverisë shqiptare. Drejtori i Borxhit në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiri, tha të enjten në një prononcim për ATSH-në se tregu është akoma i papërshtatshëm dhe se jemi në konsultim të vazhdueshëm me partnerët e qeverisë "JP Morgan" dhe "Deutsche Bank" për emetimin e eurobondit. "Do të presim momentin që tregjet të hapen dhe normat e interesit të pritshme nga tregu të jenë favorizuese për ne", theksoi Demiri. Ai tha se "ne donim të emetonim eurobondin përpara afatit të pagimit të këstit të kredisë sindikale të marrë vitin që shkoi nga qeveria shqiptare për rrugën Durrës-Kukës, por tregjet ishin të pafavorshme dhe vendosëm t'a shtyjmë këtë vendim në një moment më të përshtatshëm". "Në rastin konkret, një nga arsyet kryesore të emetimit të eurobondit do ishte për të parapaguar kredinë sindikale që kemi marrë vjet, në një kohë shumë të vështirë financiare dhe për të përmirësuar profilin e borxhit total përsa i përket uljes së kostos së portofolit", deklaroi ai. Shqipëria vendosi te dale për herë të parë në tregjet financiare botërore dhe kërkon të emetojë një eurobond deri në 400 milion euro me normë interesi deri në 8.5 për qind. Aktualisht, normat e interesit në tregjet ndërkombëtare janë mbi 9 %. /a.ke/
KOMENTE