English

Duhanpirja-Sensibilizim Për Dëmet E Shkaktuara Sidomos Tek Fëmijët

TIRANË, 27 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ .- Rritja e ndërgjegjësimit të publikut, sidomos të të rinjve, për rrezikun e duhanpirjes, aktive dhe pasive, është ndër synimet e fushatës së ndërmarrë nga Instituti i Shëndetit Publik, e shtrirë në mjaft qytete të vendit. Fushata synon sensibilizimin e opinionit publik ne lidhje me impaktin shëndetësor te pirjes se duhanit mbi joduhanpirësit dhe me fokus të veçantë fëmijët. Ndërkohë, në kuadër të muajit të Luftës kundër Duhanit, muajit Maj, strukturat shëndetësore përcjellin mesazhe sensibilizuese në opinionin publik, nëpërmjet posterave, aktiviteteve të ndryshme etj. "Shpesh fëmijët dhe adoleshentët bëhen pre e joshjes nga njerëz të ndryshëm të interesuar për shitjen e duhanit, pa menduar sa i rrezikshëm është për jetën e një të riu. Në këtë grup hyjnë për fat të keq edhe disa nga prindërit, mësuesit dhe të tjerë, që pijnë duhan në sy të fëmijëve, sidomos në familje", thonë specialistët e shëndetit publik. "Shpesh fëmijët imitojnë të rriturit, duke filluar sidomos në vitet e para të adoleshencës (12 deri në 13 vjeç) të pijnë duhan dhe kjo sepse në këtë moshë ata nuk janë as të informuar dhe as në gjendje të imagjinojnë rreziqet që u kanosen nga duhani", shtojnë ata. Sipas të dhënave të Organizata Botërore e Shëndetësisë, në Shqipëri në çdo katër persona duhanpirës, në tre prej tyre prindi (babai) ka pirë duhan, çka tregon se një adoleshent është shumë i prirur për t'u bërë duhanpirës në qoftë se prindërit e tij janë përdorues të rregullt të duhanit. Në Shqipëri rreth 81 për qind e duhanpirësve fillojnë të pijnë duhan para moshës 18 vjeç. Ndërsa në botë, sipas OBSH-së, bëhen çdo ditë duhanpirës rreth 80 000 deri 110 000 të rinj dhe fëmijë më të rritur. Specialistët sqarojnë se "në këtë periudhë ata kalojnë nga shkolla nëntëvjeçare në shkollë të mesme, në të cilën adoleshentët konsiderohen si pjesa më e re e të rinjve. Kjo gjë i shtyn ata që të identifikojnë veten me të rinjtë e tjerë, duke filluar të provojnë ato gjëra që bëjnë më të rriturit se ata". Mosha e fillimit të duhanpirjes zakonisht është adoleshenca, por në mjaft raste sipas kushteve fillojnë edhe më herët. Me fëmijët dhe adoleshentët, sipas rekomandimeve të OBSH, duhet treguar një kujdes i veçantë nga prindërit, mësuesit, organizatat joqeveritare, duke i përfshirë ata edhe në programe shtetërore të edukimit të popullatës. Statistikat tregojnë se rreth 16,7 për qind e duhanpirësve i takon grup-moshës nga 13-15 vjeç, ndërkohë që po nga kjo grup-moshë konfirmohet se 16 për qind e tyre duan ta fillojnë duhanin. Ndër të rinjtë, pasojat shëndetësore afatshkurtra te duhanpirjes përfshijnë efekte respiratorë dhe jo respiratorë, dhënie pas nikotinës, si dhe rreziqe të lidhura me përdorimin e drogave të tjera. Pasojat shëndetësore afatgjata në duhanpirjen e të rinjve janë përforcuar nga fakti që shumica e të rinjve që pijnë duhan rregullisht vazhdojnë të pijnë duhan gjatë moshës madhore. /a.ke/
KOMENTE