Durrës: Biblioteka 65-Vjeçare, Amortizimi Rrezikon Lexuesit
DURRËS, 27 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Një studente nga Durrësi u rrezikua mbrëmjen e kaluar teksa lexonte në fondet e hapura të bibliotekës publike të qytetit bredetar, kur një copë suva e shkëputur nga tavani i godinës së amortizuar goditi në këmbë lexuesen 21-vjeçare.
Ndërsa për të u kujdes menjëherë personeli i bibliotekës, Flora Dervishi, drejtore e kësaj biblioteke, thotë për ATSH-në se, godina ku është sistemuar biblioteka 65 vjet më parë nuk është ristrukturuar prej kohësh, por në të janë realizuar vetëm disa ndërhyrje të vogla. Tre vjet më parë një i moshuar u rrezikua në të njejtat kushte, ndërsa lexonte në sallën e vetme të bibliotekës së Durrësit.
Biblioteka e qytetit u themelua më 10 shtator 1945 falë pasionit të bibliofilit Vangjel Toçi, i cili së bashku me disa familje të tjera dhuruan mbi 1000 libra për institucionin e dijes. Ajo u vendos në një vilë të shtetëzuar në fillimet e sistemit komunist, e cila prej 16 vjetësh i është rikthyer zyrtarisht ish-pronarit të saj. Deri në gjetjen e një hapësire tjetër librat do të vazhdojnë të mbeten në godinën 2 katëshe.
Aktualisht në bibliotekë janë mbi 230 mijë libra dhe periodikë ndërsa në fondet e saj të rrezikuara nga amortizimi dhe lagështira zënë vend antikuare dhe libra me vlerë të albanalogjisë.
Tashmë qyteti i Durrësit ka 205 mijë banorë dhe godina e vjetër vazhdon të shërbejë si e vetmja bibliotekë publike e qytetit për të rriturit, ndërsa në sistemin e leximit publik bëjnë pjesë edhe biblioteka e fëmijëve dhe biblioteka britanike.
Qyteti antik trashëgoi të njejtën bibliotekë edhe në fillimin e viteve 1990, kur ra sistemi komunist, ndërsa gjatë 20 viteve të fundit projektet e administratave bashkiake për ndërtimin e një godine të re kanë mbetur në letër./ch/