English

Durres: Kushte Te Mira Atmosferike Dhe Detare

DURRES, 27 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Në rajonin detar të Durrësit edhe sot do të mbizotëroje moti i kthjellët, ndërsa kushtet e mira detare do të mundësojnë lundrimin normal të trageteve, anijeve dhe motopeshkatoreve, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit. Sipas të njejtave burime, katër tragetet e linjës Bari-Durrës, që kanë lundruar gjatë natës nga porti italian, tashmë janë ankoruar në kalatat përkatëse të portit. Proçesi i ngarkimit dhe shkarkimit të anijeve me mallra dhe konteinerë gjatë ditëve të fundit ka vijuar pa probleme falë kushteve të mira metereologjike në rajonin e Durrësit, shtuan burimet e kapitenerisë. Afro 40 motopeshkatore të sektorit të Durrësit vazhdojnë gjuetinë në zonën nga grykëderdhja e lumit Seman në jug deri në atë të Bunës në veri. Era sot do të vazhdojë të fryjë e lehtë dhe qëndrueshmëria e motit do të vazhdojë edhe për 24 orët e ardhshme, përfunduan burimet e kapitenerisë së portit më të madh të vendit. /a.ke/
KOMENTE