Kjo përbën një ëndërr të realizuar të shqiptarëve, por një ëndërr që nga rilindësit e tyre e gjer në ditët e sotme. Kjo përbën një premtim të mbajtur nga kjo qeveri, e cila ishte zotuar se do të merrte çdo masë, do të bënte çdo reformë, do të miratonte çdo ligj e vendim, në mënyrë që ky vendim, i shumëpritur prej shumë e shumë dekadash, të merrej në Bruksel
Nga Sali Berisha
Komisionerja e Bashkimit Europian për Çështjet e Sigurisë dhe Vizave shpalli sot publikisht vendimin historik për Shqipërinë dhe shqiptarët të Këshillit të Komisionerëve për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, për heqjen e vizave me Shqipërinë. Kjo përbën një arritje madhore historike për çdo qytetar shqiptar. Kjo përbën një ëndërr të realizuar të shqiptarëve, por një ëndërr që nga rilindësit e tyre e gjer në ditët e sotme. Kjo përbën një premtim të mbajtur nga kjo qeveri, e cila ishte zotuar se do të merrte çdo masë, do të bënte çdo reformë, do të miratonte çdo ligj e vendim, në mënyrë që ky vendim, i shumëpritur prej shumë e shumë dekadash, të merrej në Bruksel.
Unë gjej rastin t’i shpreh falënderimin tim më të përzemërt dhe mirënjohjen Komisionit Europian, komisionerëve të Komisionit Europian të Presidentit Barroso, të gjitha qeverive të vendeve anëtare, për këtë vendim historik që u shpall sot, në Bruksel, por edhe për ndihmën dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, pa të cilën ky vendim do të kishte qenë i pamundur, si dhe të garantoj komisioneren Malstrom, Komisionin Europian dhe të gjitha vendet anëtare se tre çështjet e lëna në ngarkim të autoriteteve shqiptare për shqyrtim dhe zgjidhje do të trajtohen dhe po trajtohen me seriozitetin më të madh kjo qeveri, njëlloj si e gjithë paketa e kërkesave të udhërrëfyesit të Komisionit Europian për heqjen e vizave.
Në këtë kontekst, unë kam kënaqësi t’ju informoj se rekomandimi për strategjinë për rintegrimin e të riatdhesuarve, pas një pune shumë intensive, meqenëse kjo nuk ishte në kërkesat e udhërrëfyesit, por u shtua për arsye që dihen, ekspertët shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë kanë përgatitur një nga strategjitë më të shkëlqyera, që tani është në diskutim e sipër me faktorin ndërkombëtar dhe sapo të përfundoi ky diskutim dhe këto opinione, do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe Komiteti Ndërministror për Liberalizimin e Vizave.
Rekomandimi për forcimin e kapaciteteve ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është marrë dhe po merret me seriozitetin më maksimal të kësaj qeveria, duke angazhuar të gjitha burimet e nevojshme të mundshme. Kështu, për shembull, u mbështet me fonde dhe burime të veçanta Policia e Shtetit për sistemin MEMEX, sistem i analizës on line të kriminalitetit në vend. U dhanë të gjitha burimet dhe kjo është në proces e sipër. Së shpejti, qeveria merr vendimin për të shtuar personelin në drejtoritë e luftës kundër trafiqeve dhe drogës. Ju e keni parë që po merren masa shumë serioze për të bërë zero tolerancë ndaj mbjelljes së kanabisit dhe unë dua të garantoj se, sikundër qeveria është e vendosur të adaptojë zero tolerancë ndaj kësaj, ajo është edhe e vendosur t’i ndihmojë këto zona, komuna, fshatra që në mënyrë fatkeqe kontraktuan mbjelljen e kësaj bime, me projekte intensive për të ndryshuar në mënyrë rrënjësore jetën e tyre, ndërtimin e infrastrukturës, ujësjellësve, ndërtimin e sistemit të vaditjes, përpjekjet për inkurajimin e biznesit në këto zona, por e vërteta është se kjo strategji po funksionon dhe ju jeni dëshmitarë të disa zhvillimeve shumë pozitive të kohëve të fundit, në këtë aspekt.
Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e shtetit kanë përgatitur trajnime të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit. Gjashtë Taks Forca, të ngritura në modelin e Task Force-s së Tiranës, në gjashtë qarqet kryesore të vendit, do të kenë mbështetjen e plotë dhe totale të qeverisë, me të gjitha burimet e nevojshme, në mënyrë që luftën e suksesshme kundër korrupsionit, nëpërmjet penalizimeve që arriti të shënojë, Task Forca e Tiranës, e udhëhequr nga prokurorë, të mund ta zhvillojnë të gjitha Task Forca-t e 6 qarqeve kryesore. Unë kam bindjen dhe arrij në një bindje se ky model i kësaj Task Force është një model vërtet suksesi. Ju e dini që Bashkimi Europian ka bërë përpjekje të shumanshme për të ndihmuar vendin në procesin e integrimit për të luftuar korrupsionin. Në disa vende është krijuar edhe prokurori i antikorrupsionit, por unë mendoj se Task Forca kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik është gjetja më e mirë, sepse grupon specialistë të disa fushave, të lidhura më direkt me këtë luftë.
Rekomandimi tjetër është për ligjin antimafia. Së pari, dua të theksoj se ky ligj i bën nder të madh Shqipërisë. Sot, Shqipëria ka një prej ligjeve më të mira të kohës për këtë fushë. Vullneti ynë është i hekurt për ta zbatuar këtë ligj. Janë krijuar strukturat gjurmuese në Policinë e Shtetit dhe brenda pak ditësh, do të trefishohet personeli në këto struktura. Policia e Shtetit dhe prokuroria kanë nisur një numër çështjesh për konfiskimin e aseteve kriminale dhe disa prej tyre pritet të dërgohen shumë shpejt, në gjykatë. Pra, me këtë ligj, që mishëron në vetvete standardet më të avancuara të luftës kundër krimit të organizuar dhe pasurive të tij, jam i bindur se ngremë në një stacion të ri, apo hapim një kapitull të ri të suksesshëm në luftën kundër saj. Lufta kundër mafias në historinë e vendeve që janë përballuar me të, nga Sicilia deri në Nju Jork, ka qenë e suksesshme me një kusht themelor, shkatërrimin e ekonomisë së saj. Dërgimi i bosëve në burg është asgjë e rëndësishme, sepse ata edhe kur rrinë, rrinë në shpellë apo në hotel, shkatërrimi i ekonomisë është kushti më themelor për këtë luftë. Unë kam besim të plotë se policia, prokuroria e shtetit dhe gjykatat e vendit do të hapin një kapitull të ri në luftën kundër krimit të organizuar duke zbatuar ligjin e konfiskimit të aseteve të tyre. Duhet të konkludoj duke përshëndetur të gjithë qytetarët shqiptarë, sot në këtë ditë të bekuar, në të cilën Komisioni Evropian shpalli vendimin e tij. Natyrisht ky vendim do të ketë shqyrtimin e ministrave të brendshëm, do të ketë shqyrtimin e parlamentit. Ky vendim shënon historinë e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.