Fule:Propozimi I Ke-Së Për Vizat I Sjell Shqipërinë Dhe Bosnjën Më Pranë Be-Së
TIRANË, 27 Maj/ATSH/.- Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Stefan Fule, vlerësoi sot se propozimi i KE-së për udhëtimin pa viza për Shqipërinë dhe Bosnjën-Hercegovinën është me rëndësi të madhe pasi i sjell këto vende më pranë Bashkimit Europian.
"Ky propozim për udhëtim pa viza është me rëndësi të madhe për shtetasit e vendeve në fjalë, pasi do t'i sjellë ata më pranë BE-së. Regjimi pa viza do të ndihmojë për ta bërë perspektivën evropiane më të prekshme", shprehet Komisioneri Fule në një deklaratë të shpëndarë sot nga zyra e shtypit e Delegacionit të KE-së në Tiranë.
"Kam po aq besim sa komisionerja Malstrom se autoritetet përkatëse kombëtare në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë së shpejti do të mund të plotësojnë kërkesat e mbetura dhe do të vazhdojnë të garantojnë rezultate të qëndrueshme në zbatimin e udhërrëfyesve", përfundon komenti i komisionerit Fule pas miratimit të rekomandimit të KE-së për vizat.
Komisioni Evropian aprovoi sot një propozim për të mundësuar shtetasit e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës të udhëtojnë me pasaportat e tyre biometrike drejt vendeve të hapësirës Shengen, pa patur nevojë për vizë. Propozimi kushtëzohet me plotësimin e tre kërkesave të mbetura për t'u realizuar nga të dy vendet. /a.s//a.ke/