English

Heqja E Vizave-Berisha: Kolegji I Komisionerëve, Vendim Historik Për Shqipërinë

- Kryeministri Berisha përshëndet vendimin e Kolegjit të Komisionerëve për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe siguron plotësimin e tre kritereve të kërkuara - TIRANË, 27 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot vendimin e Kolegjit të Komisionerëve për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, ndërsa siguroi se "tre çështjet e lëna në ngarkim të autoriteteve shqiptare po trajtohen me seriozitet nga qeveria". Në një konferencë për shtyp, kryeministri Berisha u shpreh se "ky vendim përbën arritjen më të madhe historike dhe shënon një premtim të mbajtur nga qeveria shqiptare". "Kjo përbën një arritje madhore historike për çdo qytetar shqiptar, një ëndërr të realizuar të shqiptarëve që nga rilindja e deri në ditët e sotme. Kjo përbën një premtim të mbajtur nga kjo qeveri që ishte zotuar se do të merrte çdo masë, do bënte çdo reformë, do miratonte çdo ligj e vendim, në mënyrë që ky vendim i shumëpritur prej shumë dekadash të merrej në Bruksel", tha Berisha. Ai shprehu mirënjohjen ndaj KE-së dhe të gjitha qeverive të vendeve anëtare për këtë vendim historik që u shpall sot në Bruksel, duke theksuar se "pa ndihmën dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, ky vendim do të kishte qenë i pamundur". Kreu i Qeverisë garantoi gjithashtu se "tre çështjet e lëna në ngarkim të autoriteteve shqiptare për shqyrtim dhe zgjidhje do të trajtohen dhe po trajohen me seriozitetin më të madh nga kjo qeveri, njëlloj si gjithë paketa e kërkesave të udhërrëfyesit të KE-së për heqjen e vizave". Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha informoi se rekomandimi për Strategjinë për Riintegrimin e të Riatdhesuarve nuk ishte në kërkesat e Udhërrëfyesit, por u shtua për arsye që dihen. Pas një pune shumë intensive, ai theksoi se "ekspertët shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë kanë pregatitur një nga strategjitë më të shkëlqyera, që tani është tani në diskutim me faktorin ndërkombëtar". "Sapo të përfundojë ky diskutim, Strategjia do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe Komiteti Ndërministror për liberalizimin e vizave", tha ai. Duke u ndalur te kriteri i dytë, Kryeministri Berisha u shpreh se "rekomandimi për forcimin e kapaciteteve ligj-zbatuese kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, është marrë dhe po merret me seriozitetin më maksimal". "Ne mbështetëm me fonde dhe burime të veçanta. Së shpejti, qeveria merr vendimin për të shtuar personelin në luftën kundër trafiqeve dhe drogës. Po merren masa shumë serioze për të bërë zero tolerancë ndaj mbjelljes së kanabisit", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha siguroi se "Qeveria është e vendosur të ndihmojë këto komuna dhe fshatra me projekte intensive për të ndryshuar në mënyrë rrënjësore jetën e tyre, si për ndërtimin e infrastrukturës, ujësjellësave sistemit të vaditjes, si dhe inkurajimit të biznesit në këto zona". Kryeministri Berisha konsideroi gjithashtu një model të suksesshëm edhe ngritjen e 6 Taske-Force në luftën e kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. Rekomandimi i tretë për Shqipërinë ka të bëjë me ligjin antimafia. Kryeministri theksoi se "Shqipëria ka sot njërin prej ligjeve më të mira të kohës për këtë fushë". "Vullneti ynë është i hekurt për ta zbatuar këtë ligj. Janë krijuar strukturat gjurmuese në policinë e shtetit dhe brenda pak ditësh do të trefishohet personeli në këto struktura. Policia e shtetit dhe Prokuroria kanë nisur një numër çështjesh për konfiskimin e aseteve kriminale dhe disa prej tyre pritet të dërgohen në gjykatë shumë shpejt", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij "ky ligj mishëron në vetëvete standardet më të avancuara të luftës kundër krimit të organizuar dhe pasurive të tij. Kryeministri shprehu bindjen se "ligji antimafia do të hapë një kapitull të ri të suksesshëm në luftën kundër mafies". Kryeministri siguroi se procesi i liberalizimit të vizave do të jetë një proces i pandalshëm, bazuar në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara qartësisht për vendin tonë. "Ky proces në vetvete ka qenë një frymëzim dhe shtytje e fuqishme për një bashkëpunin ndërinstitucional. Unë kam udhëhequr Komitetin Ndërministror të liberalizimit të vizave, ku janë të përfaqësuara të gjitha institucionet e vendit", tha ai. Rekomandimi i Kolegjit të Komisionerëve për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën do të kalojë për shqyrtim në Parlamentin Europian dhe në Këshillin e Ministrave të Brendshëm të BE-së./n.m/
KOMENTE