English

Kakavijë, pala greke bllokon 4 orë lëvizjen e automjeteve, pa lajmëruar në kohë

Kakavijë, 27 Maj, NOA – Që prej orës 16.00 të pasdites së sotme dhe deri tani, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, është bllokuar lëvizja e lirë e automjeteve të cilat qarkullojnë në të dyja anët e kufirit nëpërmjet kësaj pike.

Lajmi bëhet me dijeni nga burimet policore të Gjirokastrës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave arsyeja e këtij bllokimi qëndron në faktin se “2 kilometra në thellësi të tokës greke, fermerët vendas do të bllokojnë rrugën në shenjë proteste për masat e qeverisë”.

Por ajo që burimet policore sqarojnë më pas është fakti se lajmërimi prej palës greke ka mbërritur vetëm në orën 16.00, pikërisht në momentin kur edhe u vendos ndalimi i kalimit të automjeteve në tokën e shtetit fqinj dhe jo më parë.

“Duke filluar nga ora 16.00 e datës 27.05.2010, deri në orën 20.00, të datës 27.05.2010, ndërpritet qarkullimi i mjeteve për arsye se fermerët vendas do të bllokojnë rrugën pasi protestojnë kundër uljes së pagave dhe rritjes së taksave nga ana e shtetit grek”, thuhet përkatësisht në lajmërimin e dërguar nga pala greke ndaj asaj shqiptare, nisur në orën 16.00 të pasdites së sotme.

Ndërkaq, mësohet se njerëzit lëvizin pa probleme në këtë pikë kufitare, por pa automjete dhe kështu, iu duhet të lëvizin me këmbë rreth 2 kilometra nga dogana greke për tek autobusët grekë në vendin e quajtur ‘Hani’, në aksin rrugor Kakavijë-Janinë. Aktualisht, burimet policore bëjnë me dijeni për NOA-n se në Kakavijë nuk ka radhë automjetesh apo ndonjë problem për momentin.

n.e/NOA

KOMENTE