Kosovë - Arrestime Në Lidhje Me Një Rast Të Madh Të Krimit Të Organizuar
PRISHTINË, 27 Maj/ATSH/.-Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës, bashkë me njësitë e specializuara, nën drejtimin e një prokurori të EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), kanë arrestuar sot dy persona, pas një hetimi të gjerë të krimit të organizuar, njoftoi pak më parë EULEX.
"Ky operacion, që lidhej me trafikimin e narkotikëve, u realizua në rajonin e Prizrenit dhe u përcoll në të njëjtën kohë me kontrolle nga ana e Policisë së Shqipërisë në rrethinën e Kukësit, Shqipëri", bëhet e ditur në njoftim.
Policia e Kosovës ka kryer disa kontrolle dhe ka sekuestruar materiale, ku përfshihet një armë zjarri si dhe shuma të mëdha parash. Mësohet se në këtë hetim të gjatë janë përfshirë një numër i shërbimeve policore nga vende të ndryshme. Në lidhje me këtë rast, në të kaluarën janë sekuestruar sasi të mëdha të narkotikëve, të cilat kishin për destinacion Evropën Perëndimore.
Sipas njoftimit, "në operacionin e sotëm, nga ana e Policisë së Shqipërisë është arrestuar një person në rrethinën e Kukësit".
Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u ka caktuar të dy personave masën e paraburgimit prej një muaji./s.s./