English

Kosovë - Kuvendi Kërkon Që Të Ndalohen Në Territorin E Vendit Aktivitetet Jashtë Sistemit Politik Dhe Kushtetues

/ATSH-B.Jashari/ - Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke demonstruar rolin kushtetues dhe vendosmërinë në mbrojtje të kushtetutshmërisë, integritetit dhe sovranitetit të vendit, në mbledhjen e zhvilluar sot, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që "në koordinim me faktorët relevantë ndërkombëtarë, të ndalojë aktivitetet të cilat zhvillohen në territorin e Republikës së Kosovës jashtë sistemit politik dhe kushtetues të kësaj republike". Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme, kërkoi nga qeveria "marrjen e masave për ndalimin e organizimit të zgjedhjeve lokale dhe ushtrimit të veprimtarive të Qeverisë së Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë, ndalimin e vizitave të zyrtarëve të Republikës së Serbisë pa lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës" dhe "hartimin e planit aksional në koordinim me faktorët e tjerë relevantë për zhbërjen e strukturave të pushtetit të Qeverisë së Republikës së Serbisë në veri të Republikës së Kosovës". Kryeministri Hashim Thaçi, në fjalën e tij para deputetëve, theksoi se "Qeveria është duke punuar me mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë për zgjidhjen e problemit në veri". Ai shtoi se gjatë viteve 2008-2010 qeveria ka investuar në ndërtimin e shtëpive dhe kthimin e qytetarëve projekt ky që do të vazhdojë dhe në të ardhmen. Thaçi tha se në veri është duke u punuar për strategjinë, me mbështetjen e plotë ndërkombëtare. Sa i përket sundimit të ligjit, korrupsionit, kontrabandës etj., Kryeministri Thaçi tha se duhet t'i jepet drejtësisë mundësi dhe mbështetje të plotë unike nga i gjithë spektrit politik dhe institucional, në mënyrë që ajo të japë fjalën e vet për këto dukuri atje. /s.s./
KOMENTE