Kosove - Ldd Kerkon Ne Kuvend Qendrim Konkret Operativ Qe Zgjedhjet E Serbise Ne Veri Te Mos Mbahen
N
PRISHTINË, 27 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Kuvendi i Kosovës u deklarua për kërkesën e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) për vendosjen në rend të ditës për seancën e sotme plenare si çështje urgjente për shqyrtim cënimin e integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë.
"Në emer të Grupit Parlamentar të LDD, kërkoj që pas debatit Kuvendi të dalë me qëndrim konkret operativ, duke marrë përgjegjësitë e veta edhe faktori ndërkombëtar, që zgjedhjet e organizuara nga Serbia në veriun e Kosovës të mos mbahen", tha deputetja Besa Gaxheri në seancën e cila vazhdon punimet.
Partitë opozitare kosovare në reagimet e tyre pas ardhjes për fushatën e zgjedhjeve serbe të 30 majit në veri të Mitrovicës të ish-kryeministrit serb Vojislav Koshtunica dhe politikanëve tjerë nga Serbia, kanë kërkuar të ndalohen shkeljet e sovranitetit nga vizitat e zyrtarëve të Beogradit pa lejen e autoriteteve të Prishtinës dhe nga zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. /a.ke/