English

Kosovë -Marrëveshje Me Fmn-Në Për Një Financim Me Vlerë 110 Milionë Euro

PRISHTINË, 27 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Kosova arriti sot një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një financim në vlerë prej rreth 110 milionë euro. Kryeministri Hashim Thaçi, duke përshëndetur nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, tha sot në një konferencë për shtyp në Prishtinë, se "programi i FMN-së për Kosovën nënkupton 110 milionë me kushte shumë të favorshme". Ai vuri në dukje se plani për zhvillimin ekonomik, i hartuar së bashku me FMN-në, gjithashtu hap rrugë dhe përfshin donacione të premtuara edhe nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore, pra 210 milionë euro gjatë tri viteve. "Ndihma nga Fondi Monetar Ndërkombëtar vendos Kosovën në rrugë të sigurt për realizimin e projekteve me rëndësi kombëtare, si autostrada Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merdare, reformën në sektorin e energjisë, edukim, privatizimin dhe reforma e telekomunikimit", theksoi Thaçi. Kryeministri kosovar theksoi se "bashkërisht, këto iniciativa e përshpejtojnë rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve". /s.s./
KOMENTE