English

Kuvend, diskutohet për parqet arkeologjike dhe trashëgiminë kulturore

Tiranë, 27 maj, NOA – Përmirësimi i kuadrit ligjor për parqet arkeologjik dhe marrja e masave për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, kanë qenë dy nga çështjet e diskutuara sot në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik me përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Zëvendësministrja e ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Zana Turku dhe drejtues të trashëgimisë kulturore të Ministrisë kanë njohur deputetët me disa nga masat konkrete që janë marrë nga ministria.

Zv/ministrja Turku tha se investimet, masat e marra nga MTKRS dhe qeveria në tërësi për mbarëvajtjen e sezonit, kanë sjellë një shtim të konsiderueshëm të të ardhurave nga turistët, për këto parqe.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të mazhorancës dhe socialistë, Turku, dha një ekspoze të bazës ligjore dhe funksionimin e 9 parqeve arkeologjike, që janë destinacionet kryesore të turizmit kulturor, ku organizohen aktivitete të shumta artistike kombëtare e ndërkombëtare, ekspozita, simpoziume etj.

Sipas njoftimit të Kuvendit, deputetët e majtë vlerësuan punën e ekspertëve të MTKRS, dhe përmirësimin e vazhdueshëm që i është bërë ligjit të trashëgimisë kulturore, por theksuan se ka ende probleme me infrastrukturën e parqeve arkeologjike.

Lidhur me reformën trashëgimisë kulturore që përcakton një varësi të re të muzeve në vend, përfaqësuesit e MTKRS sqaruan se po punohet një draft nga ekspertët më të mirë, që pritet të paraqitet së shpejti.

Në mbledhje u diskutua dhe kërkesa e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, për të mos u përfshirë nga kjo reformë, duke synuar të mbetet në varësi të MTKRS.

m.xh/NOA

KOMENTE