English

Leart dhe Orik Shyti: “Hakmarrja...”, furi e re shpifjesh dhe përgjigjesh të detyruara

Tiranë, 27 Maj 2010 NOA – Pjesa e Pestë – “Arritëm të gjenim një strehë të përbashkët dhe ndiqnim zhvillimet. Berisha fliste në televizor, Merua, Fahriu dhe “RD” botonin shpifjet e tij se artikujt tanë i kishte shkruar Edi Rama dhe garantonin lexuesit dhe shikuesit se ia njihnin stilin. Më pas, e braktisën versionin e parë. Thanë e shkruan se : kryebashkiaku ishte vetëm redaktor, se e kishim kushëri, akoma më pas se e kishim krushk etj.

Ndërkohë, vazhdonin të përhapeshin shpifje të reja si “Disa ambasada në Tiranë kanë hetuar dje pistën e emërimit të femrës që shoqëroi vrasësin e shoferit të Sollakut dhe kanë mbërritur tek Arta Dade ...”, “Pikëpyetje mbi rrjetin shoqëror të Hakmarrjes”, “Edvini, ortak i Hakmarrjes për Drejtësi”, shoqëruar me titujt “Prokuroria: Kemi prova për Tashon”, “Policia belge ka shprehur habi mbi daljen e informacionit nga policia e Tiranës për Orik Shytin”, “Brukseli: Tirana shpëtoi Orik Shytin”, dhe deklarata të bëra nga Berisha në konferenca shtypi si “Edvini është strumbullar kryesor në krim, një nga përfaqësuesit e organizatës terroriste, por jo vetëm. Në këtë grup ka ministra, ish-ministra, por ka edhe të tjerë që do të dalin ...” (datë 5.11.2003).

... I ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Berisha i pasuroi shpifjet dhe akuzoi prokurorinë (jo Sollakun), se po flinte mbi dosjet e krimeve që ka kryer “Hakmarrja” dhe bëri apologjinë e shpifjeve që kishte bërë paradite gjatë fjalës në parlament. Shpifi jo vetëm për Edi Ramën dhe Erjon Braçe, por edhe për Arta Daden dhe Luan Pobratin, si edhe për kryetarin e KQZ-së, Ilirian Celibashi. Atë e riakuzoi si gjyqtarin që kishte liruar nga burgu Kreshnik Spahiun. Ndërsa Kreshnikun e cilësoi si “killerin më të rrezikshëm të Hakmarrjes për Drejtësi, që ka vrarë me dhjetëra njerëz”. Iu përgjigj Kreshnik Spahiu: “Kjo është shpifje e Sali Berishës. E para që dua të them, është se në vendimin e gjykatës që e mbaj me vete, nuk gjendet i shkruar emri “Hakmarrja për Drejtësi Shqiptare”. Ky emër u përdor nga Sali Berisha për të akuzuar sa më shumë persona si terroristë që donin ta rrëzonin atë gjoja nga pushteti”.

... Th.Sollaku mbante shënime dhe vriste mendjen për t’i treguar besnikëri të zotit. Në gjykimin e parë, Kreshniku ishte akuzuar dhe gjykuar vetëm për 4 vjedhje Për plagosjen e një roje ishte akuzuar Altini. Disa muaj më vonë, Sollaku e kishte çuar çështjen në gjykatë, me akuzën e vrasjes për rojën e plagosur. Për t’i dhënë legjitimitet shpifjes, së Berishës, e çoi “hakën” te shpifësi, plagosjen e quajti vrasje dhe Kreshnikun bashkëpunëtor. Në vendim shkroi se Kreshniku ishte vrasës (killer, kishte thënë Berisha) dhe si e tillë, e dënoi me 24 vite burg (vendimi nr. 44, 1 korrik 2008).

... Edhe sikur përgjigjet tona të ishin të përditshme, ato nuk kishin fatin të amplifikoheshin, siç ndodhte me shpifjet e Sali Berishës. Fuqitë në betejën mediatike, nëse do ta quanim kështu, ishin të pakrahasueshme, në favor të tij. Presioni që ushtronte mbi institucionet, vinte në rritje. Shpifjet për lidhjet e Edi Ramës me “Hakmarrjen” pajtoheshin me interesat e krahut qeverisës të PS-së, kundër krahut të Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Në gjendjen e krijuar, ministri Igli Toska dhe prokurori Ardian Visha, edhe për t’i prirë opinionit se Berisha po shpifte për ta, po kryenin veprime që na dëmtonin, por më shumë sesa ne, po dëmtonin prestigjin e shtetit, persona të tjerë dhe vetveten.

U përjashtuan nga policia gjashtë punonjës që kishin firmosur proces-verbalet fiktive me motivacionin “për shkelje të rënda në detyrë”. Të përjashtuarit, u etiketuan si persona që kishin ndryshuar thëniet në gjykatë, në favor të Hakmarrjes, dhe në këtë mënyrë, kishin favorizuar krimin e organizuar. Vala e shkarkimeve vijoi. Masat administrative dhe ato policore u shoqëruan me bastisje në familjet e “anëtarëve” të Hakmarrjes duke mos lënë asnjë dyshim, se krimi i organizuar nënkuptonte Hakmarrjen. Por të përjashtuarit nga policia e mbrojtën veten. Faqet e shtypit u mbushën me shpjegimet e tyre se nuk kishin lidhje dhe se nuk i kishin ndryshuar thëniet e tyre para gjykatës për të favorizuar krimin e organizuar, siç akuzoheshin. ...

Vijon nesër

Lexoni nesër: Makthi i Sali Berishës

Vëllezërit Leart dhe Orik Shyti, rrëfehen për herë të parë me detaje lidhur me atë që i ndjek nga pas prej afro një dekade e gjysmë, “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Një organizatë që u akuzua atëherë nga shteti për një seri ngjarjesh të rënda kriminale, aktesh terroriste, vrasjesh e grabitjesh. Orik Shyti dhe vëllai i tij Learti, rrëfehen si asnjëherë tjetër për gjithçka që ka ndodhur në këto afro 15 vjet dhe zbulojnë të pathëna të kësaj periudhe. Tregojnë fillesat e kalvarit që ende vazhdon, dhe detajojnë si ky kalvar, nisi në verën e vitit 1996.

Gjithçka është hedhur në letër dhe që të mos mbetet vetëm për ta, kanë vendosur të nxjerrin një libër. “Ne. Hakmarrja për Drejtësi” dhe...”, është libri që nxjerrin Orik dhe Leart Shyti të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë. Libri, i nisur si ide në vitin 2004, është vendosur që të shkruhet më 2009 dhe vetëm këto ditë ka dalë në dritë. Ai gjendet në libraritë e Tiranës dhe rretheve.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA ka marrë të drejtën ekskluzive të publikimit të pjesëve të përzgjedhura nga ky libër i vëllezërve Shyti.

Mediat që kërkojnë publikimin, të dërgojnë një kërkesë në info@noa.al për të marrë falas, materialin e plotë në word dhe fotot.

NOA

KOMENTE